Kryefaqja
Maqedonia

ALTA Bank Bitola shitet me ankand; i pari më 30 nëntor 2026

Banka Qendrore ka nxjerrë në shitje pakon prej 372,742 aksionesh (95.336%) në pronësi të ALTA Bank AD Beograd – në falimentim.

·Maqedonia
ALTA Bank Bitola shitet me ankand; i pari më 30 nëntor 2026

Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut (NBRM) shpalli procedurën e shitjes së paketës dominuese të aksioneve të ALTA Bank AD Bitola, në përpjekje për sigurimin e një pronari të ri dhe stabilizimin e punës së bankës. Bëhet fjalë për 372,742 aksione ordinare, pra 95.336% të gjithë aksioneve, në pronësi të ALTA Bank AD Beograd – në falimentim.

Shitja do të realizohet përmes Bursës së Maqedonisë, sipas modelit "all-or-nothing" (të gjithë ose asnjë), që nënkupton se shitet i gjithë paketi i ofruar si njësi e vetme dhe nuk mund të blihet vetëm një pjesë e tij. Ankandi i parë publik është caktuar për 30 nëntor 2026, ndërsa çmimi fillestar është vendosur në 3,777 denarë për aksion, të përcaktuar mbi bazën e çmimit aktual të bursës.

Nëse aksionet nuk shiten në ankandin e parë, do të organizohen ankande të tjera më 1, 2, 3, 4 dhe 7 dhjetor 2026. Në çdo ankand pasues çmimi fillestar do të ulet për 10% në krahasim me çmimin fillestar të ankandit paraprak.

Kushtet për pjesëmarrje

Investitorët e interesuar duhet, së paku deri më 19 nëntor 2026, të dorëzojnë një kërkesë te NBRM për marrjen e pëlqimit paraprak për të fituar një pjesëmarrje të kualifikuar në bankë, si dhe një deklaratë me shkrim se do të shlyejnë mjetet e nevojshme për blerjen e aksioneve. Në ankande mund të marrin pjesë vetëm personat që i plotësojnë kushtet ligjore.

Sipas NBRM, procedura është pjesë e masave për sigurimin e një pronari të ri, krijimin e kushteve për funksionim të mëtejshëm dhe ruajtjen e interesave të kursimtarëve dhe klientëve të tjerë.

Foto: material shtypi nga ngjarja

Artikuj të ngjashëm