Angelov: Zjarri në Pelister nën kontroll, prioriteti ishte të mos hynte në pyllin cilësor të parkut
Drejtor i DPR: zjarret më komplekse janë te Pelisteri dhe pranë Gradecit; në veprim ekipe tokësore, helikopter policor dhe ushtarak.

Stojanche Angelov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DPR), njoftoi se zjarri që shpërtheu para dy ditësh në anën e Prespës, në këmbët e Pelisterit, pas intervenimeve intensive të ekipeve tokësore është vënë nën kontroll.
"Gjatë natës dhe sot në mëngjes zhvilluam një betejë të ashpër me gjuhët e flakës. Mund të them se zjarri është vënë nën kontroll dhe se linja e zjarrit, e cila dje pasdite na u shkëput, është ndalur," tha Angelov, duke e përshkruar incidentin si një nga zjarret më të vështira pyjore këtë sezon dhe duke theksuar se qëllimi kryesor ishte të parandalohej hyrja e flakëve në pyllin cilësor të parkut.
Ekipe tokësore dhe helikopterë policorë e ushtarakë në vendngjarje
Në terren janë angazhuar zjarrfikësit nga Reseni dhe Bitola, ekipe të DPR me pesë automjete të specializuara Pinzgauer, zjarrfikës vullnetarë dhe ekipe të "Pyjeve Kombëtare". Në shuarjen nga ajri është përfshirë një helikopter ushtarak me një kovë me kapacitet prej tri tonësh uji, dhe sipas nevojës do të angazhohen edhe të dy "ertraktorët" e DPR.
Si zjarr i dytë serioz, Angelov përmendi zjarret pranë fshatit Gradec në Komunën e Vrapçishtit, ku flakët kanë kapluar pyjet e pishave në terren të vështirë për t'u qasur. "Sot në mëngjes, në veprim filloi një helikopter policor, i cili mbledh ujë nga një liqen i afërt dhe intervenon çdo pesë-gjashtë minuta. Helikopteri ndihmon ndjeshëm në ndalimin e përhapjes së zjarrit drejt fshatit," shtoi drejtori i DPR.
Zjarrfikësit nga Gostivari po veprojnë në Gradec, ndërsa forca të tjera do të dërgohen nëse është e nevojshme. Angelov tha se gjatë ditës së djeshme u regjistruan më shumë se 23 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilave shtatë ishin aktive sot në mëngjes; zjarret e tjera aktive aktualisht nuk paraqesin një kërcënim të rëndësishëm për banesat apo komplekset pyjore të vlefshme.
Ai bëri apel te qytetarët të jenë maksimalisht të kujdesshëm, duke nënvizuar se edhe pse po fillon shtatori, rreziku i zjarreve mbetet jashtëzakonisht i lartë.
Foto: Printskrin


