Arin Agich — psikoterapeute sportive në klubin e Ligës së Parë hungareze TFSE
Psikoterapeute gestalt maqedonase Arin Agich është anëtarja e re e stafit të TFSE, duke vazhduar punën edhe me përfaqësuesen e Maqedonisë deri në 18 vjeç.

Arin Agich është emëruar psikoterapeute sportive te klubi i Ligës së Parë hungareze TFSE, një pozicion që fuqizon lidhjen e saj shumëvjeçare me klubin dhe kombinon përvojën praktike në fushë me edukimin akademik dhe praktikën psikoterapeutike. Ajo është e lidhur me klubin prej gati dhjetë vjetësh dhe sot sjell njohuritë e fituara si lojëtare, trajner dhe terapiste në funksion të mbështetjes mendore për sportistët.
Rruga: nga basketbollistja te trajnerja mendore
Arin ndërton rrëfimin e saj profesional në kryqëzim të disiplinave: është psikoterapeute gestalt, doktorante e sociologjisë së sportit në Universitetin e Shkencave të Sportit të Hungarisë dhe pjesëmarrëse e gjatë në basketboll si lojëtare dhe trajner. Para dhjetë vjetësh la Maqedoninë dhe hap pas hapi ndërttoi karrierën e saj në Hungari — si lojëtare, përmes asistencës si trajner, deri te roli i saj i sotëm në skuadrën e parë.
Për motivet dhe ndryshimet në qasjen profesionale, Agich thotë: "Gjithmonë kam pasur një dëshirë të fortë t'u ndihmoj sportistëve, por edhe njerëzve në përgjithësi. Përmes përvojës sime si basketbolliste, e më vonë si trajner, kuptova sa i madh ndikimi i shëndetit mendor në çdo aspekt të jetës dhe sportit. Gjithashtu, vërejta që pikërisht ky aspekt shpesh mungon, veçanërisht tek sportistët, të cilët përballen çdo ditë me presion të madh, pritshmëri, lëndime, suksese dhe dështime. Atëherë kuptova se doja të sjell edhe atë element të rëndësishëm në punën time dhe t'u ofroja një mbështetje më të plotë."
Që nga viti 2025 ajo është edhe trajner asistente në përfaqësuesen e femrave të Maqedonisë deri në 18 vjeç, gjë që konfirmon më tej përkushtimin e saj ndaj sportisteve të reja. Ajo e sheh punën me të rinjtë si një mundësi kyçe për të vendosur zakonet e kujdesit për shëndetin mendor që në fillim të karrierës sportive.
Në lidhje me sfidat psikologjike më të shpeshta te sportistët elitarë, ajo përmend presionin për të qëndruar në nivelin më të lartë, frikën nga dështimi, lëndimet dhe rënien e vetëbesimit. "Në periudhat e vështira sportistët herë-herë tërhiqen dhe izolohen, gjë që mund ta vështirësojë më tej situatën. Prandaj, këshilla ime kryesore është të mos e kalojnë vetë këtë dhe të dinë që nuk janë vetëm. Hapi i parë dhe më i rëndësishëm është të kërkojnë ndihmë. Mbështetje mund të marrin nga familja, shokët e skuadrës dhe stafi teknik, e posaçërisht nga profesionistët e shëndetit mendor. Kërkimi i ndihmës nuk është shenjë dobësie, por një hap i rëndësishëm në kujdesin ndaj vetes," thotë ajo.
Agich thekson se në rajon po ndërmerren hapa të vegjël drejt përfshirjes së përgatitjes mendore në strukturat sportive, por se kërkohet një qasje sistematike dhe afatgjatë që kjo mbështetje të bëhet pjesë normale e punës së klubeve dhe federatave. Për të, angazhimi i ri te TFSE është "fillim i një kapitulli të ri dhe emocionues" dhe një mundësi për të përmirësuar mirëqenien dhe zhvillimin e lojëtareve dhe të ekipit.
Foto: arkiva e Arin Agich


