Bekim Sali: Procesi i zgjerimit të BE-së duhet të mbetet i besueshëm dhe i bazuar në merita
Në një takim joformal në Dublin ai kërkoi përshpejtim të reformave, mbështetje ekspertësh dhe integrim gradual si hap drejt anëtarësimit.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për çështje evropiane Bekim Sali në një takim joformalist të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian në Dublin tha se zgjerimi sot është po aq një nevojë gjeopolitike sa edhe një zgjedhje politike, dhe se procesi duhet të mbetet i besueshëm dhe i bazuar në merita.
Duke folur nën Presidencën irlandeze, Sali theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj integrimit evropian, zbatimit të reformave dhe përputhjes së plotë me vlerat dhe politikat e BE-së. Sesioni për zgjerimin mblodhi ministrat e vendeve anëtare të BE-së dhe përfaqësues të vendeve kandidate dhe partnere për të shqyrtuar mënyrat për të përshpejtuar reformat dhe për të forcuar aftësitë institucionale.
Sali theksoi Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asocim si një shtyllë kryesore të transformimit të vendit, që ka kontribuar në forcimin e legjislacionit, ekonomisë dhe administratës. Megjithatë, sipas tij, sfida kryesore tani është zbatimi efektiv i reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe administratën publike.
Kërkesa për mbështetje ekspertësh dhe veprime konkrete
Ai përshëndeti vizionin e Komisioneres së BE-së për Zgjerim, Marta Kos, për një model më ambicioz të integrimit gradual që do t'u mundësojë vendeve kandidate përfshirje të fazuar në politikat, programet dhe pjesë të tregut të vetëm para anëtarësimit të plotë. Sipas Salit, integrimi gradual duhet të përshpejtojë përgatitjet, të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset dhe të rrisë besimin në proces.
Sali bëri thirrje për mbështetje më të koordinuar nga vendet anëtare përmes ndihmës direkte ekspertësh, TAIEX, Twinning dhe angazhimit më afatgjatë të ekspertëve evropianë në institucionet lokale. Ai nënvizoi se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i drejtë, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita në mënyrë që rezultatet dhe vendimet e vështira politike të shoqërohen me përparim konkret.
"Maqedonia e Veriut e zgjodhi Europën. Jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë dhe presim që përkushtimi, reformat dhe rezultatet të njihen me përparim. Investimi në kapacitetet tona është një investim në një shtet anëtar të ardhshëm dhe në një Evropë më të fortë,"
tha Sali.
Foto: material shtypi nga ngjarja


