Danimarka përforcon rregullat e provimeve për të ndaluar përdorimin e GPT në shkolla
Mbrojtje orale, monitorim i ekranit dhe firewall që bllokon GPT janë disa nga masat e reja.

Danimarka vendosi rregulla më të rrepta për organizimin e provimeve në shkollat e mesme të larta për të parandaluar që nxënësit të përdorin mjete të inteligjencës artificiale për të shkruar ese dhe detyra të tjera.
Masa e re detyron nxënësit të mbrojnë në mënyrë orale punimet e tyre të shkruara, ndërsa mësuesit do të mund t’u bëjnë pyetje për argumentet dhe metodat. Vendimi vjen pas shqetësimeve në rritje për përdorimin e gjeneruesve të tekstit si ChatGPT dhe Claude.
Tre masa kryesore kundër keqpërdorimit
Masa e parë është futja e mbrojtjes orale të eseve ose detyrave përmbyllëse — provimi kryesor që çdo vit e zhvillojnë rreth 9,000 nxënës të shkollave të mesme të larta. Shkollat gjithashtu do të lejohen të përdorin mjete për monitorimin e ekranit të kompjuterit gjatë provimeve të shkruara.
Gjithashtu, shkollat do të jenë të detyruara të instalojnë një mure mbrojtëse që bllokon aksesin në GPT ose shërbime të ngjashme AI dhe të organizojnë detyrat e shkruara nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë në klasa.
Si masë e tretë, nxitet që nxënësit t’i përfundojnë detyrat në shkollë nën mbikëqyrje të drejtpërdrejtë, çka sipas ministrisë do të lehtësojë monitorimin e procesit, do të mundësojë kthim të menjëhershëm të reagimeve dhe do të krijojë bazë për vlerësim të saktë.
Ministri i Arsimit i Danimarkës, Magnus Heunicke, e mbrojti vendimin duke thënë: "Në lidhje me provimet që i mbajtëm menjëherë para pushimeve verore, mund të shohim — për herë të parë pas dekadash — se kur nxënësit e japin provimet e shkruara dhe i përfundojnë detyrat në shkollë, pati një rënie të vërtetë të notave që marrin. Kjo qartë tregon se diçka nuk është në rregull." Rregullat më të rrepta hyjnë në fuqi javën e ardhshme, kur nxënësit e shkollave të mesme kthehen në mësim.
Foto: material shtypi nga ngjarja


