Kryefaqja
Bota

Stuhi diplomatike: Irani kërcënon ashpër Bullgarinë për avionët ushtarakë amerikanë

Teherani paralajmëron se lëshimi i bazës Bezmer për avionët amerikanë do të thotë bashkëpunim i drejtpërdrejtë në krim lufte.

·Bota
Stuhi diplomatike: Irani kërcënon ashpër Bullgarinë për avionët ushtarakë amerikanë

Teherani zyrtar u ka dërguar një mesazh të ashpër diplomatik autoriteteve bullgare, duke heksuar se çdo lëshim i mundshëm i territorit të tyre për qëllime ushtarake amerikane do të perceptohet si bashkëpunim i drejtpërdrejtë në agresion. Reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit vjen pas njoftimeve nga Sofja për stacionimin e mundshëm të avionëve cisternë amerikanë në vend.

Zëdhënësi i diplomacisë iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi përmes agjencisë shtetërore IRNA se çdo vend që ndihmon në sulmet ndaj Iranit do të duhet të përballet me pasoja serioze. Ai iu referua rezolutave të Kombeve të Bashkuara, duke vënë në dukje se vetë ofrimi i territorit shtetëror për veprimet ushtarake të një vendi të tretë përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe një akt krimi lufte.

Tensionet u përshkallëzuan pasi kryeministri bullgar Rumen Radev zbuloi se ata kishin marrë një kërkesë zyrtare nga Uashingtoni më 17 korrik. Shtetet e Bashkuara po kërkojnë leje për të vendosur deri në tetë avionë furnizues në bazën ajrore Bezmer. Kjo nismë, sipas Radev, është pjesë e mbështetjes më të gjerë për misionet amerikane në Lindjen e Mesme dhe bazohet në një marrëveshje dypalëshe të mbrojtjes të nënshkruar në vitin 2006.

Megjithëse komisioni parlamentar i mbrojtjes tashmë i ka dhënë dritën jeshile kësaj kërkese, fjalën e fundit do ta kenë ligjvënësit në një seancë plenare. Radev këmbënguli për transparencë në këtë proces, duke kritikuar qeverinë e mëparshme e cila në shkurt lejoi një stacionim të ngjashëm në aeroportin e Sofjes pa miratimin e legjislativit.

Nga ana tjetër, ministri bullgar i Mbrojtjes Dimitar Stoyanov u përpoq të qetësonte publikun, duke pohuar se nuk ka vend për asnjë panik në lidhje me përdorimin e bazës Bezmer. Megjithatë, pala iraniane mban qëndrimin se edhe vetë shqyrtimi i një kërkese të tillë bie ndesh me parimet e sovranitetit kombëtar, duke paralajmëruar një mbrojtje të pakompromis të interesave të veta të sigurisë.

Artikuj të ngjashëm