Dy pacientë me ethet e Nilit Perëndimor në ventilim mekanik
Nga shtatë raste të konfirmuara, dy persona (76 dhe 66) janë në gjendje kritike në Departamentin e Kujdesit Intensiv të Klinikës së Sëmundjeve Infektive.

Dy pacientë të infektuar me ethet e Nilit Perëndimor, përkatësisht 76 dhe 66 vjeç, janë në gjendje kritike dhe janë të vendosur në ventilim mekanik në Departamentin e Kujdesit Intensiv të Klinikës së Sëmundjeve Infektive, njoftoi drejtori dr. Fadil Cana.
Nga gjithsej shtatë raste të konfirmuara të kësaj sëmundjeje virale, te dy pacientët gjendja është përkeqësuar dhe ata janë vendosur në mbështetje respiratore, theksoi Cana.
Për rastin më të ri nga dy të sëmurët kritikë, Cana sqaroi: "Pacienti 66-vjeçar u shtrua më 26 korrik, dhe për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe vlerësimit të mjekëve të kujdesit intensiv, është intubuar dhe vendosur në ventilim mekanik. Ai nuk ka udhëtuar jashtë vendit dhe ka sëmundje të shumta shoqëruese". Për pacientin 76-vjeçar nuk ka informacione publike shtesë përveç se është në ventilim mekanik dhe po merr kujdesin e duhur intensiv.
Gjendja te pacientët e tjerë
Sipas të dhënave nga Klinika, të gjithë shtatë pacientët e konfirmuar janë nga lagjet e Shkupit, dhe vetëm njëri prej tyre ka pasur qëndrim në Greqi. Për tre pacientë të tjerë që u pranuan me diagnozë inflamacion akut të trurit dhe të mbështjellëses së trurit, po priten rezultatet e analizave laboratorike në Institutin e Shëndetit Publik.
Siç theksoi drejtori, "Shtatë raste janë të konfirmuara, e te tre të tjerë ekziston dyshim i madh se bëhet fjalë për të njëjtën infeksion". Ai shtoi se të gjithë pacientët e tjerë janë mbi 60 vjeç dhe kanë sëmundje kronike të shumta, por për momentin janë të stabilizuar dhe trajtohen sipas protokolleve moderne mjekësore.
Cana nënvizoi se për ethet e Nilit Perëndimor nuk ekziston një ilaç specifik dhe aplikohen kryesisht terapia simptomatike dhe suportive, ndërsa në rast përkeqësimi të gjendjes veprohet sipas protokolleve ndërkombëtare. Ai theksoi gjithashtu se "Nuk mund të vlerësohet paraprakisht si do të sillet virusi brenda organizmit. Prandaj pacientët shtrohen, ndiqen dhe monitorohen nga infektologët".
Klinika e Sëmundjeve Infektive mbetet e hapur për pranimin e pacientëve dhe është në koordinim me institucionet shëndetësore. Aty apeluan tek qytetarët që të ndjekin rekomandimet e shërbimeve kompetente për mbrojtje nga virusi.
Foto: Sloboden Peçat - Metodi Zdravev


