Fronti Evropian kërkoi komision hetimor për incidentin me Ivan Stoilkovic
Fronti Evropian kërkon që Kuvendi të formojë një komision hetimor për ngjarjen në të cilën, siç pretendojnë, një anëtar i qeverisë ofendoi deputetët.

Një grup deputetësh nga Fronti Evropian paraqiti një propozim-vendim në Kuvend për formimin e një komisioni hetimor me qëllim përcaktimin e të gjitha fakteve dhe rrethanave të lidhura me incidentin serioz që ndodhi në ambientet e Kuvendit, ku, sipas tyre, një anëtar i qeverisë përdori një gjuhë ofenduese dhe poshtëruese ndaj deputetëve.
Në njoftim thuhet gjithashtu se BDI do të paraqesë kërkesë për një komision hetimor për ministrin e vetëqeverisjes lokale, Ivan Stoilkovic.
Çfarë duhet të përcaktojë komisioni
Sipas propozimit, komisioni hetimor duhet të shqyrtojë kronologjinë e ngjarjes, sjelljen e të gjitha personave të përfshirë, veprimet e institucioneve dhe të shërbimeve të Kuvendit, si dhe të përcaktojë nëse është cënuar dinjiteti i Kuvendit, të drejtat e deputetëve dhe parimet e transparencës, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit.
„Kuvendi është organi më i lartë përfaqësues i qytetarëve dhe shtylla themelore e demokracisë parlamentare. Ai duhet të jetë një hapësirë për dialog demokratik, respekt institucional dhe kulturë parlamentare. Çdo sjellje që cenon dinjitetin e deputetëve dhe autoritetin e Kuvendit përbën një goditje direkte ndaj institucioneve demokratike dhe nuk duhet të mbetet pa përgjegjësi politike dhe institucionale“, thuhet në njoftimin e Frontit Evropian.
Ata shtojnë se një çështje veçanërisht e rëndësishme është edhe refuzimi për të mundësuar qasje në incizimet nga sistemi zyrtar i video-mbikëqyrjes së Kuvendit. „Duke pasur parasysh se incidenti ndodhi gjatë kryerjes së funksioneve publike dhe përfshin funksionarë shtetërorë, ekziston një interes i qartë publik që të gjitha provat relevante të jenë objekt i verifikimit institucional. Prandaj, komisioni hetimor duhet të përcaktojë edhe nëse ky refuzim ishte në përputhje me ligjin, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet e transparencës institucionale“, thonë nga Fronti.
„Sqarimi i plotë i këtij rasti shërben për rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet demokratike dhe për sigurimin e standardeve evropiane të përgjegjësisë publike. Prandaj, i ftojmë të gjithë deputetët, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, të mbështesin këtë iniciativë. Votimi për krijimin e komisionit hetimor nuk është një votim për një subjekt politik, por një votim për transparencë, të vërtetë, llogaridhënie dhe mbrojtjen e autoritetit të Kuvendit“, shtojnë nga Fronti Evropian.
Mbrojtja e të dhënave personale e shpëtoi Stoilkovic nga turpi publik.
Foto: Facebook


