Gjermania do të përdorë inteligjencën artificiale në procesimin e kërkesave për azil dhe viza
Më 29 korrik Berlini miratoi një tekst që lejon përdorimin e IA për të asistuar zyrtarët në shqyrtimin e kërkesave për azil, viza dhe leje qëndrimi.

Qeveria gjermane më 29 korrik miratoi një projektligj që lejon përdorimin e inteligjencës artificiale në përpunimin e kërkesave për azil, viza dhe leje qëndrimi, me qëllim shkurtimin e procedurave të gjata administrative dhe uljen e presionit mbi shërbimet e migracionit.
Zgjidhjet e reja teknike do të mund ti përdorin Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë, shërbimet lokale për të huajt dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Të dhënat nga kërkesat e dorëzuara do të shërbejnë për zhvillimin, testimin dhe verifikimin e modeleve të inteligjencës artificiale që do ti mbështesin zyrtarët.
Si do të funksionojnë sistemet
Sistemet pritet të analizojnë raste të përfunduara më parë për të përcaktuar se si janë marrë vendimet, me shpresën që të harmonizohen praktikat në pjesë të ndryshme të vendit dhe të identifikohen pjesë të procedurës që mund të përshpejtohen. Projektligji gjithashtu hap mundësinë e verifikimit automatik të informacioneve të publikuara në internet: kur ekziston 'dyshim i arsyeshëm' në deklaratat e aplikantit, shërbimet do të mund të krahasojnë të dhënat e dhëna me faqet dhe profilët publikisht të disponueshëm.
Vlerësimi përfundimtar sipas projektligjit mbetet në kompetencë të zyrtarëve njerëzorë. Inteligjenca artificiale përcaktohet si një mjet ndihmës dhe nuk ka kompetencë të aprovojë ose të refuzojë vetë kërkesën për azil, vizë ose qëndrim.
Projektligji u përball me kritika nga organizata për mbrojtjen e refugjatëve dhe grupe për të drejtat digjitale. "Pro azil", "Caritas" dhe të tjerë paralajmërojnë për gabime të mundshme në të dhënat publike, rrezikun e paragjykimit në algoritme dhe rrezikun që zyrtarët të mbështeten tepër tek rekomandimet automatike. Në kuadër të rregullave evropiane, përdorimi i IA në procedurat e azilit konsiderohet me rrezik të lartë për shkak të ndjeshmërisë së të dhënave dhe pasojave që vendimi mund të ketë mbi aplikantin.
Projektligji do të shqyrtohet në Bundestag dhe në Bundesrat gjatë vjeshtës.
Foto: material për shtyp nga ngjarja


