Gostivar: Uji ende nuk është i pijshëm, auditori paralajmëron për mangësi që nga 2007
Autoritetet vazhdojnë analizat ndërsa raportet e auditimit nga 2007 tregojnë mangësi afatgjata në funksionimin e ndërmarrjes së ujësjellësit.

Pas më shumë se dy javësh që nga vendosja e ndalimit për të pirë nga rubineti, uji në Gostivar ende nuk është shpallur i sigurt — rezultatet e analizave nuk përmbushin kriteret që do të lejonin heqjen e masës.
Ministri i Shëndetësisë theksoi se vendimi do të merret vetëm kur të ketë siguri për sigurinë e ujit. Sasho Klekovski – Ministër i Shëndetësisë: "Dëshirojmë të jemi sa më të sigurt para se të lejojmë që uji të përdoret për pije dhe përgatitje ushqimesh. Çdo ditë merren mostra nga vende të ndryshme. Nuk mund të spekulojmë. Duhet tre teste të përshtatshme nga vende të ndryshme që uji të vihet në përdorim për pije. Çdo ditë bëhen analiza nga nëntë pika të shfrytëzuesve. Mund të ketë një rezultat të papërshtatshëm dhe të nevojiten tri teste të reja në tri ditë të reja"
Ndërkaq, Auditori Shtetëror kërkoi që të publikohen raportet e auditimit të cilat, siç theksoi ai, që nga viti 2007 tregojnë dobësi sistematike — përfshirë llogari të bllokuara, parregullsi dhe mungesë kujdesi për sigurimin e sasive të mjaftueshme uji për qytetarët.
Vërejtjet e auditimit dhe hetimi i tanishëm
Maksim Acevski – Auditori Shtetëror: "Nëse i lexojmë të gjitha konstatat e evidentuara në atë periudhë nga auditori shtetëror, do të konstatojmë se ka qenë një punë jashtëzakonisht e papërgjegjshme, e pofesionit dhe jo mirëmenaxhuese me Ndërmarrjen Publike që në vazhdimësi ka pasur llogari të bllokuara, një ndërmarrje publike që ka një numër të madh parregullsish në funksionimin e saj dhe nuk ka ndërmarrë masa për sigurimin e sasive të mjaftueshme të ujit për qytetarët"
Prokuroria në Gostivar ende pret disa nga dokumentet që i ka kërkuar nga komuna dhe nga ndërmarrja publike. Janë parashikuar ekspertiza financiare për pompat e kontestueshme, dhe Policia Financiare do të verifikojë gjithashtu projektet për ujësjellësin qytetar që janë financuar me fonde zvicerane dhe gjermane.
Ndërkohë drejtoresha e Ndërmarrjes Publike "Komunalec" – Gostivar dhe dy drejtues janë në paraburgim. Dyshohet se përmes vendosjes së paligjshme të pompave në dhomën e tejmbushjes në fshatin Vrutok u shkaktua ndotje e ujit që furnizonte qytetin, çka rezultoi me një epidemi të shqetësimeve gastrointestinale dhe më shumë se tremijë banorë kërkuan kontrolle mjekësore.
Foto: material për shtyp nga ngjarja


