Kinë: koncept për tank bërthamor 60 tonësh me rreze deri në 450 km
Studimi propozon një mjet 60 tonësh me reaktor kompakt dhe top 50 MJ, por thekson probleme me ftohjen dhe mbrojtjen ndaj rrezatimit.

Hulumtues kinezë prezantuan një koncept afatgjatë për një mjet luftarak rreth 60 tonë, i cili do të përdorte një reaktor të vogël bërthamor me fuqi 10 MW dhe një top elektromagnetik me 50 MJ energji për goditje.
Sipas përllogaritjeve në studim, topi elektromagnetik me 50 MJ mund ta përshpejtojë projektilin deri në rreth 3.5 kilometra në sekondë, gjë që në teori do të jepte një rreze veprimi rreth 450 kilometra. Studimi është botuar në revistën e rishikuar nga bashkësia shkencore, Acta Armamentarii.
Plani zhvillimor është ndarë në tri faza. Versioni fillestar do të shfrytëzonte një gjenerues dizeli 1,500 kuaj‑fuqi dhe një top 10 MJ, me një rreze teorike prej rreth 150 kilometrash. Superkondensatorët dhe një volant propozohet të furnizojnë nënsistemet me konsum të lartë të energjisë.
Shtimi i energjisë dhe sistemet e magazinimit
Në fazën e dytë energjia e topit do të rritej në 20 MJ, me një rreze të projektuar rreth 300 kilometrash. Mjeti do të përfshinte gjithashtu një mburojë elektromagnetike 10 MJ dhe rreth pesë ton sisteme të avancuara për magazinimin e energjisë. Hulumtuesit parashikojnë përdorimin e baterive në gjendje të ngurtë dhe sistemeve superpërçuese për magazinim, të kontrolluara nga një mikrrrjetë e ndërtuar brenda mjetit.
Vetëm faza e fundit, e planifikuar pas vitit 2045, parashikon ndërrimin e gjeneratorit dizel me një reaktor kompakt fisional. Reaktori do të përdorte ftohje me aliazh plumb‑bizmut dhe do të prodhonte 10 MW energji termike. Koncepti kërkon që i gjithë sistemi i reaktorit të përshtatet në vetëm dy metra kub, me masën e mbrojtjes kundër rrezatimit të mos kalojë tre ton. Rifurnizimi me karburant do të jetë i nevojshëm të paktën njëherë çdo pesë vjet.
Autorët nënvizojnë sfida të mëdha teknike: largimi i nxehtësisë është problem kryesor, pasi reaktori do të gjeneronte sasi të mëdha nxehtësie që duhet të hiqet ndërsa mjeti lëviz në terren dhe përjeton goditje. Topi me shina kërkon sasira ekstreme energjie në shpërthim që reaktori nuk mund t’i sigurojë menjëherë, prandaj energjia duhet të akumulohet midis shkrepjeve në kondensatorë, bateri dhe sisteme të tjera magazinimi.
Për më tepër, instalimi i reaktorit zë hapësirë dhe masë që do të ndryshonte ndarjen e vendit për blindim, municion dhe ekuipazh. Si alternativë potenciale studiuesit propozojnë një platformë pa pilot që mund të përdorte sasinë e madhe të energjisë elektrike për lazerë, armë mikrovalë, radarë dhe luftë elektronike.
Derisa koncepti i tankut me fuqi bërthamore mbetet kryesisht një vizion kërkimor afatgjatë, studimi e paraqet atë si një hartë rrugore që tregon mundësi dhe kufizime teknologjike.
Foto: EPA/ANDRES MARTINEZ CASARES


