Maroku emëron autostradën më të gjatë në Afrikë me emrin e Donald Trump
Autostrada Tiznit–Dakhla prej 1,055 km do të quhet "Donald J. Trump", njoftojnë zyrtarët marokenë.

Autoritetet marokene vendosën që autostrada që lidh jugun e Marokut me territorin e kontestuar të Saharas Perëndimore të mbajë emrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Rruga, e cila shtrihet ndërmjet qyteteve Tiznit dhe Dakhla dhe ka një gjatësi totale prej 1,055 kilometrash, sipas zyrtarëve të Rabatit përbën "infrastrukturen rrugore më të gjatë në Afrikë" dhe do të quhet "Autostrada Donald J. Trump".
Mesazh mirënjohjeje
Mbreti Mohammed VI e njoftoi Trumpin për planin që në fillim të korrikut, duke theksuar në një letër se ky akt është një mënyrë për t’i shprehur mirënjohjen për "njohjen historike të sovranitetit maroken mbi Saharan e tij në vitin 2020, që do të mbetet përgjithmonë e gdhendur në kujtesën e marokenëve".
Në dhjetor 2020, Trump mbështeti publikisht planin për autonomi të Saharas Perëndimore nën sovranitetin maroken, në shkëmbim të normalizimit të marrëdhënieve midis Marokut dhe Izraelit.
Në platformën e tij Truth Social, Trump falënderoi mbretin dhe shkroi: "I look forward one day, and I hope soon, to travel on this incredible highway."
Sahara Perëndimore, e cila ishte koloni spanjolle deri në 1975, vazhdon të ketë një status të papërcaktuar ndërkombëtarisht: Kombet e Bashkuara e konsiderojnë atë si "territor i pa vetëqeverisur", ndërsa Maroku e trajton si pjesë të territorit të vet. Konflikti mes Marokut dhe Frontit Polisario vazhdon prej rreth 50 vjetësh dhe ka shkaktuar mijëra viktima.
Territori kufizohet me Mauritaninë dhe Algjerinë, ka një sipërfaqe rreth 266,000 kilometra katrorë dhe rreth 650,000 banorë.
Foto: Daniel Torok / Wikimedia Commons (Public domain)


