Kryefaqja
Bota

Mitsotakis nga Selaniku prezantoi paketë masash mbështetëse prej €2.2 miliardë për 2027

Paketë me masa për pensionistë, fermerë, fond kursimi për të sapolindurit dhe shtesë për punonjësit e shtetit.

·Bota
Mitsotakis nga Selaniku prezantoi paketë masash mbështetëse prej €2.2 miliardë për 2027

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, prezantoi në hapjen e Panairit Ndërkombëtar të Selanikut një paketë mbështetëse vlerë €2.2 miliardë për vitin 2027, që përfshin masat afatshkurtra dhe objektivat afatgjata deri në 2030.

Pikat kryesore të paketës

Mitsotakis njoftoi lehtësira të synuara fiskale për fermerët: heqjen e plotë të taksës mbi të ardhurat për ata me të ardhura vjetore deri në €20,000 dhe ulje 50% të taksës për ata me të ardhura prej €30,000.

Shtesa vjetore për të gjithë pensionistët mbi 65 vjet do të rritet nga €300 në €400 që nga nëntori i këtij viti dhe masa do të përfshijë 2.3 milionë pensionistë. Nga viti 2027, 720,000 punonjës të sektorit shtetëror do të marrin një shtesë për Krishtlindje në vlerë €500.

Një masë që Mitsotakis e përshkroi si "një masë inovative që do të nxisë kulturën e kursimit" është krijimi i një fondi kursimi për të sapolindurit, ku shteti do të përballojë dyfish kontributin e prindërve. Ai shpjegoi se kur prindërit depozitojnë €100, shteti do të shtojë të njejtën shumë dhe se "një fëmijë në 18 vjet, nga kapitali i mbyllur do të ketë mbi €60,000 si bazë," me qëllim "të investohet në gjeneratën e re."

Për të përballuar sfidat demografike Mitsotakis paralajmëroi heqjen e taksave për familjet me tre fëmijë deri në €20,000 të ardhura dhe rritjen e shtesës speciale për familjet me shumë fëmijë. Për çështjet e banesimit, ai propozoi rritjen e tatimit mbi transferimin e pronës nga 3% në 15% për blerësit nga vendet e treta, duke përmendur Kinën, Turqinë dhe Izraelin si shembuj.

Për punonjësit në sektorin privat ai vendosi si objektiv që paga minimale të arrijë €1,000 në janar 2028. Afatgjatë, në tre vitet e ardhshme synohet ulja e çmimit të energjisë elektrike për 30%.

"Programi që prezantova kushton €2.2 miliardë deri në 2027 dhe €3.5 miliardë deri në 2030. Ne gjithmonë lëvizim brenda hapësirës fiskale ekzistuese," tha Mitsotakis, duke shtuar se Greqia sot huazon më lirë në tregje në krahasim me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkën dhe Italinë. Ai foli për 85 minuta dhe trajtoi edhe çështje si migrimi, energjia dhe mbrojtja; pritet të japë detaje të mëtejshme në konferencën për shtyp të nesërme në margjinat e panairit.

Fjalimi i Mitsotakis nisi me shprehje ngushëllimi për aksidentin fatal të një F-4E Phantom të Forcave Ajrore greke gjatë pjesëmarrjes në spektaklin ajror "Athens Flying Week", ku humbën jetën dy pilotë; ai tha se "hapja ceremoniale e sotme është në hijen e ngjarjes tragjike." Para hapjes zyrtare në Selanik u organizuan protesta nga sindikatat kundër politikave qeveritare.

Foto: material shtypi nga ngjarja

Artikuj të ngjashëm