Raporti i Komisionit Evropian: Nuk pati përpjekje për ndryshimet kushtetuese, komisioni me Bullgarinë pa rezultate
Raporti thekson nevojën për zbatim të marrëveshjeve bilaterale, rifillim të dialogut dhe angazhim më të fuqishëm kundër korrupsionit.

Komisioni Evropian në raportin e tij të ri për përparimin e Maqedonisë shënon se nuk është bërë asnjë përpjekje për të miratuar ndryshimet kushtetuese të përmendura në Përfundimet e Këshillit më 18 korrik 2022. Raporti thekson se vendi ishte i angazhuar të niste dhe të përfundonte këto ndryshime, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve shtetërorë dhe që i përkasin popujve të tjerë, si bullgarët.
Brukseli: marrëdhëniet me fqinjët kërkojnë rikthim të dialogut dhe respektit
Raporti nënvizon se zbatimi i marrëveshjeve bilaterale "në frymën e vullnetit të mirë", duke përfshirë Marrëveshjen e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit dhe Protokollin e saj me Bullgarinë, mbetet thelbësor. Duhet përpjekje të konsiderueshme shtesë për përmirësimin e atmosferës së dialogut dhe respektit të ndërsjellë.
Komisioni raporton se komisioni ekspert multidisiplinar i përbashkët për çështjet historike dhe arsimore u mbledh katër herë në periudhën shtator 2025–mars 2026, por pa rezultate të prekshme. Raporti gjithashtu vëren se disa anëtarë të qeverisë dhe zyrtarë të lartë herë pas here injorojnë Marrëveshjen e Prespës dhe nuk përdorin emrin kushtetues të shtetit, për çka paralajmëron se kjo mund të rrezikojë marrëdhëniet me Greqinë.
Sistemi gjyqësor vlerësohet si i vendosur "midis nivelit të caktuar dhe atij të moderuar të përgatitjes" dhe shënon përparim të kufizuar. Ndërkaq, nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit: korrupsioni mbetet i përhapur dhe një shkak serioz për shqetësim në Bruksel.
Institucionet demokratike funksionojnë përgjithësisht në mënyrë të qëndrueshme, por polarizimi politik vazhdon të shtyjë miratimin e ligjeve kyçe reformuese. Raporti lidh përparimin e mëtejshëm në procesin e anëtarësimit me zbatimin e qartë të angazhimeve bilaterale, rifillimin e dialogut rajonal dhe masa konkrete kundër korrupsionit.
Foto: material shtypi nga ngjarja


