Detaje të reja për aksidentin në të cilin u lëndua presidentja Nataša Pirc Musar
Policia e lidh aksidentin me mosmbajtjen e distancës në konvojin zyrtar; shoferi i makinës së presidentes dyshohet për neglizhencë.

Policia sllovene publikoi informacione shtesë për aksidentin rrugor të të premtes së kaluar në të cilin u përfshi presidenteja Nataša Pirc Musar ndërsa po kthehej nga Kroacia.
Autoritetet bëjnë të ditur se përplasja u shkaktua për shkak të mosmbajtjes së distancës së nevojshme të sigurisë në konvojin zyrtar. Sipas raportit policor, shoferi 52-vjeçar i Mercedes V300-së në të cilën udhëtonte presidentja nuk mbajti distancën e mjaftueshme dhe me pjesën e përparme të automjetit goditi pjesën e pasme të një Audi-je, i cili ishte pjesë e eskortës zyrtare dhe që po drejtohej nga një shofer 34-vjeçar.
Procedura dhe testimet
Testet për alkool dhe droga të dy shoferëve rezultuan negative. Shoferi që drejtonte makinën e presidentes dyshohet për shkaktim të aksidentit rrugor nga neglizhenca. Policia konfirmoi se ka njoftuar njësinë kompetente të Prokurorisë së Specializuar Shtetërore dhe i ka dorëzuar të gjitha dokumentet, ndërsa procedura po zhvillohet sipas nenit 323 të Kodit Penal të Sllovenisë.
Aksidenti ndodhi të premten, pak para orës 17:00, në tunelin Kastelec në autostradën në drejtim të Lubjanës. Presidentja pësoi lëndime të lehta, dhe sipas informacioneve jozyrtare i është thyer klavikula.
Një nga dy shoqërueset e saj pësoi lëndime të rënda. Përveç shoferit, në automjet ishin edhe katër persona të tjerë: presidentja, roje dhe dy shoqëruese. Të lënduarit u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm Izola, dhe Kabineti i presidentes njoftoi se Pirc Musar u lirua për kujdes shtëpiak të shtunën.
Dëmi material vlerësohet rreth 37.000 euro.
Foto: Nataša Pirc Musar - Facebook


