Plenković: Pa marrëveshje për kufirin, Mali i Zi nuk do të mbyllë negociatat me BE-në
Kryeministri në Kuvend tha se Podgorica duhet të pranojë parimet e Komisionit Badinter për të siguruar përkrahjen e Kroacisë në procesin evropian.

Kryeministri kroat Andrej Plenković paralajmëroi se Mali i Zi nuk mund të presë mbylljen e negociatave me Bashkimin Evropian pa një marrëveshje për kufirin tokësor.
Plenković e bëri deklaratën në seancën e Kuvendit të Kroacisë, duke iu përgjigjur një pyetjeje të deputetit të HDZ, Andro Krstulović Opara, mbi mosmarrëveshjet mes dy vendeve.
Krstulović Opara vuri në dukje qëndrimet e presidentit malazez Jakov Milatović lidhur me pllakatën përkujtimore në Morinj dhe marrëveshjen për kufirin, duke thënë se këto qëndrime nuk ndihmojnë për një zgjidhje të shpejtë të mosmarrëveshjeve.
Plenković tha se te Mali i Zi është dorëzuar një draft-marrëveshje për kufirin tokësor dhe se parimet e Komisionit Badinter për përcaktimin e kufijve duhet të jenë të pranuara nga Podgorica. Ai paralajmëroi se refuzimi i këtyre parimeve mund të ketë pasoja më të gjera.
"Nëse kjo nuk i përshtatet Malit të Zi, atëherë dërgon mesazhin që nuk mund ta pranojë parimin e Komisionit Badinter dhe që nuk beson te parimi sipas të cilit kufijtë republikane janë njëkohësisht edhe kufijtë ndërmjet shteteve që lindën pas shpërbërjes së ish-RFSJ-së," tha Plenković.
Ai shtoi se një qëndrim i tillë do të përbënte një problem serioz për rrugën evropiane të fqinjit. Kroacia më parë kishte insiston që të gjitha çështjet e hapura me Podgoricën të zgjidhen para se ajo të marrë përkrahjen për anëtarësim në BE. Deklarata erdhi pasi Podgorica, më 20 tetor, vendosi të ndryshojë emërtimin e një baseni në Kotor që mbante emrin e Zoran Gopčević, ish-rojes në kampin Morinj, dhe më pas miratoi vendosjen e një pllake përkujtimore në vendin e kampit të dikurshëm.
Foto: material shtypi nga ngjarja


