SHBA për të dytin vit radhazi refuzojnë viza për delegacionin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Uashingtoni thotë se veprimet juridike ndaj Izraelit dhe kompensimet për familjet e të burgosurve dobësojnë perspektivat për paqe.

Departamenti i Shtetit të SHBA-së njoftoi dje se do të refuzojë vizat për anëtarët e një delegacioni të lartë palestinez, përfshirë presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, të planifikuar të marrin pjesë në seancën vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Arsyet që jep Uashingtoni
Në deklaratë, Departamenti i Shtetit tha se përfaqësuesit palestinezë nuk kanë përmbushur angazhimet e marrë në kuadër të marrëveshjeve të mëparshme për paqe dhe përmendsi dy zhvillime si arsye për kufizimet: vazhdimin e procedurave ligjore ndaj Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, dhe pagesat e kompensimeve për familjet e të burgosurve të dënuar për sulme ndaj izraelitëve.
“Si pasojë e dështimit të tyre për të zbatuar reformat – në kundërshtim me detyrimet e marra ndaj SHBA-së – dhe për shkak të aktiviteteve të tyre të vazhdueshme që minojnë perspektivat për paqe, SHBA do të vazhdojnë sanksionet që refuzojnë viza për anëtarët e OOP dhe përfaqësuesit e Autoritetit Palestinez,” tha Departamenti i Shtetit.
Kjo është masa më e fundit në një seri veprimesh nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, e cila synon të kufizojë udhëtimet dhe qasjen diplomatike të zyrtarëve palestinezë. Vendimi vjen në një moment të tensioneve të rinovuara lidhur me luftën në Gaza.
Pavarësisht refuzimit të vizave, përfaqësimi palestinez në Asamblenë e Përgjithshme do të vazhdojë përmes diplomatëve që tashmë janë akredituar pranë Kombeve të Bashkuara në New York. Vitin e kaluar, presidenti Mahmoud Abbas iu drejtua Asamblesë përmes një fjalimi nga video.
Foto: material shtypi nga ngjarja


