LSDM i kërkon Prokurorisë të hapë hetim për huan hungareze prej 1 miliardë eurosh
LSDM insiston që Prokuroria të kërkojë informacione nga Hungaria dhe të verifikojë kontratat, origjinën dhe rrjedhat e parave.

Opozita LSDM i kërkoi institucioneve të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut dhe Prokurorisë që të hapin një rast për kreditin prej një miliardë eurosh që Qeveria e Hristijan Mickoskit e pati rënë dakord me Hungarinë, duke kërkuar që prokuroria të marrë të dhëna nga organet hungareze dhe të shqyrtojë në thellësi kontratat dhe rrjedhën e fondeve.
Zhernovski: Kërkojmë informacione nga Hungaria dhe verifikim të origjinës së parave
Në konferencë për shtyp, anëtari i Bordit Ekzekutiv të LSDM, Andrej Zhernovski, tha se iniciativa vjen pasi Hungaria zyrtarisht ka nisur një hetim dhe pasi hetuesit hungarezë kanë sekuestruar mijëra faqe dokumentacion nga Eximbank.
„Partnerët tanë strategjikë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e dinë shumë mirë se gjatë dy viteve të fundit në shtetin tonë po hyn një sasi serioze parash kineze. Tani, me këtë hetim, gjithçka po konfirmohet. Megjithatë, këtu nuk ndalet. Shikoni aktivitetet e ministrit të tij të preferuar, Stoilkoviq, i cili edhe më tej vazhdon të publikojë me gëzim e kënaqësi se shteti ynë po diskuton për një hyrje të re të fondeve kineze“, tha Zhernovski, dhe shtoi se prokuroria duhet të verifikojë se cilat kompani kanë marrë fonde nga kjo hua.
Zhernovski i akuzoi autoritetet se deri sot nuk kanë dhënë shpjegim se si është rënë dakord marrëveshja: „Kjo është një shumë e madhe parash. Deri më sot ne nuk kemi marrë përgjigje për atë se si u rënë dakord marrëveshja, kush e ka rënë dakord, cilat janë komisionet, cilat janë kostot e fshehta. Sigurisht, dhe ajo që është shumë e rëndësishme, dhe do ta theksoj edhe njëherë, cili është burimi i këtyre parave“.
Sipas një njoftimi që i referohet komunikatës së policisë hungareze, katër raste në bankën shtetërore Eximbank janë subjekt i hetimit për shkak të dyshimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe menaxhim të papërgjegjshëm. Ndër rastet nën hetim është edhe kredia prej një miliardë eurosh e miratuar për Maqedoninë e Veriut, për të cilën, siç u njoftua, Ministria e Ekonomisë hungareze ka paraqitur në korrik një kallëzim pas një auditimi të bankës.
Zhernovski tha se qytetarët, të cilët do ta paguajnë këtë hua, kanë të drejtë të dinë të vërtetën: „Ata që do ta paguajnë këtë kredi, e që janë qytetarët e shtetit tonë, kanë të drejtë ta dinë të vërtetën. Por do ta përfundoj me atë se po vjen koha për të vërtetën dhe po vjen koha për drejtësi“, dhe i bëri thirrje prokurorisë që të veprojë dhe të bashkëpunojë me organet hetimore hungareze.
Foto: material për shtyp nga ngjarja


