Studentët, sindikatat dhe Jelekët e Verdhë protestojnë në të gjithë Francën
Studentët, sindikatat dhe Jelekët e Verdhë marshuan kundër shtrenjtimit të jetesës dhe dobësimit të modelit social francez.

Dhjetëra mijëra njerëz priteshin të marrin pjesë në protesta masive në të gjithë Francën, teksa studentët, sindikatat dhe pjesëtarët e mbetur të lëvizjes Jelekëve të Verdhë u bashkuan për të shprehur pakënaqësinë ndaj çmimeve të larta dhe dobësimit të modelit social francez.
Përplasje në Paris
Rreth mesditës, në Sheshin e Republikës (Place de la République) në Paris shpërthyen përplasje të dhunshme midis protestuesve dhe policisë, në pikën që ishte nisja e marshit të paraparë protestues. Policia përdori izër për të shpërndarë turmën pasi disa demonstrues — disa të veshur me të zeza dhe me maska — hodhën pajisje piroteknike.
Valë e parë e protestave nisi muajin e kaluar në shkollat e mesme në periferi të varfra veriore të Parisit, ku pakënaqësia për mungesën e mësuesve dhe objektet e shkollave në gjendje të dobët u shndërrua shpejt në një lëvizje kombëtare kundër pabarazisë, financimit publik të pamjaftueshëm dhe rënies së standardit të jetesës.
"Kudo ndjehet një pakënaqësi dhe zemërim i madh, prandaj është mesazh i fuqishëm që jemi të gjithë së bashku. Fakti që këtë të shtunë të gjithë do dalim në rrugë, jo vetëm nxënësit e shkollave të mesme, tregon se ekziston një pakënaqësi e përgjithshme, e përbashkët dhe se të gjithë jemi të një mendjeje rreth kësaj," tha një nxënëse e shkollës së mesme nga Franca.
Kryeministri Sébastien Lecornu paralajmëroi se autoritetet frikësohen nga çrregullime gjatë protestave dhe i përshkroi tubimet si nga më të dhunshmet në dekadat e fundit, duke thënë se që nga fillimi i protestave janë plagosur më shumë se 900 policë. Policia po përballet gjithashtu me kritika për ashpërsinë e disa lëndimeve, përfshirë rastin e një të mituri të cilit i është shpërthyer pëllëmbja pasi ngriti një granatë shoku.
Organi mbikëqyrës i policisë në Francë po heton të paktën njëzet raste të dyshuara të dhunës policore. Franca ndërpreu përdorimin e granatave shoku gjatë marshimeve të studentëve, por ministri i Brendshëm Laurent Nuñez tha se ato mund të përdoren gjatë protestave të fundjavës: "Në rast përplasje mund të përdoren të gjitha llojet e mjeteve të detyrimit", tha ai.
Thirrjet në rrjetet sociale për t'u bashkuar me lëvizjet protestuese të mëparshme duket se dhanë rezultat, çka ngre pyetjen sa mund të rriten tubimet. Qeveria fajëson lëvizjen ekstremisht të majtë La France Insoumise për ndezjen e protestave, të cilën lëvizja e mohon. Udhëheqësi i opozitës Jordan Bardella, i partisë së ekstremit të djathtë National Rally, që kryeson sondazhet përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, tha se pret protesta të dhunshme dhe paralajmëroi për një fundjavë kaotike.
Investitorët tërhoqën kapitalin nga borxhi sovran francez, duke rritur kostot e huamarrjes në nivelin më të lartë në më shumë se dy dekada. Presidenti Emmanuel Macron bëri thirrje për qetësi para protestave: "E drejta për protestë dhe liria e shprehjes janë të garantuara kushtetuese, por ato nënkuptojnë edhe përgjegjësi dhe respekt për njerëzit dhe pronën e tyre. Prandaj bëj thirrje për qetësi dhe protesta të qeta, të organizuara në mënyrë të përgjegjshme. Dhuna, shkatërrimi i pronës dhe provokimi i çrregullimeve janë të papranueshme," tha ai.
Foto: EPA/YOAN VALAT


