Trupi i 20-vjeçarit u gjet në frigorifer para shtëpisë së familjes në Utrecht
Policia nuk gjeti shenja të jashtme dhune; kryetarja e qytetit urdhëroi rishikim të shërbimeve sociale.

Trupi i një të riu 20-vjeçar u gjet brenda një frigoriferi të lënë në trotuar para shtëpisë së familjes së tij në Utrecht. Një kalimtar e zbuloi rreth orës 13:20, dhe hetuesit e policisë qëndruan gjatë në vendngjarje për të përcaktuar si përfundoi trupi brenda pajisjes.
Banorët thanë për mediat lokale se frigoriferi qëndroi në të njëjtin vend rreth dy javë dhe ishte pjesërisht i mbuluar me bimësi. Pajisja ishte vendosur në trotuarin përballë shtëpisë së familjes.
I riu ishte anëtar i një familjeje siriane që jeton në atë shtëpi. Babai deklaroi se i biri kishte mbërritur në Holandë në moshën 15-vjeçare, disa vite para pjesës tjetër të familjes, dhe më vonë u përfshi në shoqëri të këqija dhe pati probleme me drogën, gjë që shkaktoi konflikte të përsëritura në familje.
Babai thotë se shërbimet sociale i këshilluan të mos e lejonte të birin të hynte në shtëpi
Babai tregoi se kur pjesa tjetër e familjes mbërriti katër vjet më vonë, bashkëjetesa nuk ishte më e mundur. Ai tha se shërbimet lokale sociale i kishin këshilluar që të mos ia lejonte të birit hyrjen në shtëpi, duke paralajmëruar se në të kundërtën mund t'i merrnin fëmijët e tjerë.
"Isha i ngujuar mes dy zjarresh. Nëse e le ta hyjë brenda, do t'më marrin fëmijët. Por, nëse e lë jashtë, ai mund të bëjë ç'të dojë," tha babai dhe shtoi se hera e fundit që i biri i trokiti derën ishte të dielën.
"Ai më tha: 'Babi, më ftohtë më është, lëjo më të hyj brenda.' Këto fjalë do të më shoqërojnë përgjithmonë," tha ai.
Shërbimet sociale konfirmuan se kishin ofruar ndihmë për familjen, por refuzuan të përgjigjen nëse në të vërtetë i kishin këshilluar babait që të refuzonte hyrjen e të birit. Policia bën me dije se deri tani nuk janë gjetur shenja të jashtme dhune mbi trup, dhe kryetarja e qytetit të Utrecht, Sharon Dijksma, ka thënë se informacionet e para tregojnë se vdekja me gjasë nuk është pasojë e një krimi. Hetimet e mëtejshme dhe ekzaminimet do të përcaktojnë shkakun e vdekjes dhe rrethanat në të cilat trupi u la në frigorifer. Kryetarja po ashtu ka njoftuar se do të bëhet një kontroll i veprimeve të shërbimeve sociale.
Foto: Socijalni mrezhi


