Putin pranon që evropianët t'i bashkohen raundit të ardhshëm të bisedimeve për Ukrainën
Steve Vitkoff tha se evropianët do të ftohen në raundin e ardhshëm; Kremlini paralajmëron për dërgimin e trupave pas një marrëveshjeje.

Presidenti rus Vladimir Putin pranoi që përfaqësuesit evropianë të bashkohen në raundin e ardhshëm të bisedimeve paqësore për Ukrainën, tha përfaqësuesi special i presidentit amerikan, Steve Vitkoff, pas takimit në Moskë ku ishte i pranishëm edhe Jared Kushner.
Vitkoff, pas një takimi që zgjati katër orë e gjysmë me Putin, tha: "Evropianët do t'i bashkohen takimit të ardhshëm, të cilin e konsiderojmë shumë të rëndësishëm. Ata janë partnerët tanë dhe është e rëndësishme që të jenë të përfshirë."
Mesazhet nga Uashingtoni dhe përgjigjja e Moskës
Gjatë bisedimeve në Kremlin, përfaqësuesi amerikan Jared Kushner i tha Putinit se Uashingtoni kishte vërejtur një ndryshim të madh në anën evropiane dhe shprehu besimin se zgjerimi i bisedimeve paqësore me pjesëmarrjen e evropianëve nuk do ta pengojë progresin.
Putin tha se Moska gjithmonë ka qenë e hapur për dialog me Bashkimin Evropian: "Ne kurrë nuk i kemi kundërshtuar bisedimet me Evropën dhe kurrë nuk e kemi ndërprerë atë dialog. Në fakt, ata ishin ata që e ndërprenë dialogun me Federatën Ruse," deklaroi ai.
Megjithatë, ai paralajmëroi se ideja për dërgimin e trupave në Ukrainë pas arritjes së një marrëveshjeje paqësore mund të ndezë përsëri luftën, sepse Rusia do ta perceptonte një veprim të tillë si kërcënim për sigurinë e saj.
Pas takimit në Moskë, Vitkoff dhe Kushner udhëtuan për në Irlandë, ku u takuan me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Zelensky tha se mirëpret mundësinë e pjesëmarrjes evropiane në bisedime dhe shpreson që axhenda të përfshijë hapa drejt një armëpushimi dhe de-eskalimi. "Vendosëm se do të punojmë mbi një axhendë për çdo lloj de-eskalimi, një lloj armëpushimi," tha ai.
Foto: EPA/VYACHESLAV PROKOFYEV


