Tre të dyshuar për sulmin në Gostivar; dy prej tyre janë të mitur
MPB: U sekuestruan dokumentet e udhëtimit të dy të miturve; i dyshuari i tretë është 20‑vjeç nga Shkupi.

Policia në Gostivar njoftoi se ka identifikuar tre persona të dyshuar për sulmin e dhunshëm që u filmua dhe u shpërnda në rrjetet sociale.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në video shihet një djalë që bie në tokë pasi goditet me këmbë në kokë; ndërsa qëndron i palëvizshëm, disa persona vazhdojnë ta sulmojnë fizikisht, duke e goditur edhe me një shkop druri që thyhet nga goditjet.
Denoncimi është bërë në orën 22:20 nga 22‑vjeçari A.V. nga Gostivari. Ai deklaroi se të njëjtën natë rreth orës 02:30, në rrugën “Borche Jovanovski”, ai dhe shoku i tij L.E. u sulmuan fizikisht nga tre persona, të cilët përdorën sende të forta dhe prej druri.
Veprime policore
“Për ngjarjen menjëherë u njoftua prokurori i detyrës, sipas udhëzimeve të të cilit dhe në koordinim me prokurorin kompetent, punonjësit e policisë nga OVR Gostivar, pas ndërmarrjes së masave dhe veprimeve, i identifikuan tre pjesëmarrësit në ngjarjen e dhunshme,” thuhet në deklaratë.
Dy të mitur nga Gostivari janë thirrur për bisedë në stacionin policor dhe u janë sekuestruar dokumentet e udhëtimit. “Personi i tretë është V.D.(20) nga Shkupi, për të cilin është dërguar telegram në SVR Shkup për veprime të mëtejshme,” informon policia.
Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se të dyshuarit do të paraqiten sot para gjyqtarit të procedurës paraprake me procedurë të përshpejtuar, gjatë ditës së nesërme.
Foto: material shtypi nga ngjarja


