Vučić: Nuk do të ik; "çdo burg në Serbi më pëlqen më shumë se dielli diku tjetër"
Gjatë vizitës në verarinë e Rajonit të Rasinës, Vučić hodhi poshtë pretendimet se do të ikte në rast të humbjes dhe tha se do t'i mbrojë serbët në Kosovë me mjete diplomatike dhe paqësore.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, hodhi poshtë pretendimet e opozitës se do të largohej nga vendi nëse do t'i humbiste zgjedhjet, gjatë vizitës në verarinë Cvetković në Stanjevo, pranë Aleksandrovacit.
Ai i përballoi publikisht akuzat se do të ikte dhe theksoi rolin e tij në ndërtimin e Serbisë. "Thonin se do të ikja, se do të fshihesha. Përse të ikja, pasi e kam ndërtuar Serbinë, së bashku me të tjerët, në një mënyrë që askush në historinë e saj nuk e ka ndërtuar kurrë, se e kam ndërtuar Beogradin në një mënyrë që askush kurrë nuk e ka bërë," tha Vučić.
Ai kritikoi Partinë Demokratike, duke thënë se dikur ka qenë parti e madhe me shumë intelektualë, ndërsa tash është zvogëluar në figura si kryetari i saj, Srđan Milivojević. Vučić gjithashtu akuzoi opozitën se paraprakisht e di rezultatin dhe për këtë arsye ankohen.
Presidenti shpërfaqi edhe angazhimin personal ndaj Serbisë dhe mungesën e pasurisë së tij materiale: "Çdo burg në Serbi më pëlqen më shumë se dielli në çdo vend tjetër në botë. Nuk kam asgjë askund, as shtëpi, as vilë, asgjë, as para, as llogari bankare të hapura. Më intereson vetëm Serbia ime; aty jam lindur, aty do të vdes, duke luftuar për të," tha ai.
Për serbët në Kosovë
Gjatë turneut në Rajonin e Rasinës, Vučić u ndal edhe te situata e serbëve në Kosovë. Ai deklaroi se Beogradi do të përdorë të gjitha mjetet diplomatike dhe paqësore për të mbrojtur popullsinë serbe dhe se në këtë moment nuk kërkohet konflikt me NATO-n, por nuk do të lejohet pogromi dhe dëbimi i njerëzve të saj. "Synojmë të luftojmë me të gjitha mjetet diplomatike dhe paqësore për të ruajtur popullsinë tonë. Në këtë moment nuk na duhet konflikt me NATO-n, por nuk do të lejojmë pogrom dhe dëbimin e popullsisë sonë," u shpreh Vučić.
Vizita erdhi pasi Vučić njoftoi se do të shpallë zgjedhjet; në një video të ndarë ai përmendi për herë të parë data konkrete.
Foto: printskrin / video/ rts


