Bujku me traktor gërmoi pjesë të rrugës së sapoasfaltuar në Gliwice
Një 60-vjeçar u arrestua dhe u vendos në paraburgim tre mujor pas shkatërrimit të një shtrimi të sapoasfaltuar me traktor.

Në jug të Polonisë, një bujk me një traktor Ursus të premten gërmoi rreth 200 metra nga një rrugë e sapoasfaltuar në Gliwice, duke lënë një hendek të thellë dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale për të cilat mund të përballet me deri në 10 vjet burg.
Policia arrestoi burrin 60-vjeçar pasi, në një video të publikuar nga kryetarja e qytetit Katarzyna Kucinska-Budka, shihet një traktor i kuq që ul plugun mbi asfalt dhe e tërheq atë përgjatë rrugës, duke prishur shtresën e sapo vendosur.
Akuzat dhe paraburgimi
Të dielën, burri u akuzua për shkaktim të dëmeve materiale të konsiderueshme, dhe Gjykata Rajonale në Gliwice vendosi paraburgim tre mujor. Hetuesit gjetën se dokumentet tregojnë se rruga është në pronësi të autoriteteve lokale.
Bujku deklaroi para policisë se rruga, sipas tij, kalonte në pronën e tij dhe se punimet ishin kryer në mënyrë të paligjshme. Policia tha se ai i kërcënoi efektivët dhe u tha se do ta dëmtonte përsëri rrugën pasi ata të largoheshin. Kryetarja Kucinska-Budka tha se nuk ishte hera e parë që ky person dëmtonte pjesën që shtrihet përgjatë tokës bujqësore.
Administrata Komunale për Rrugët e Gliwice njoftoi: "Rruga në tërësi është pronë e qytetit Gliwice. Ajo nuk është rrugë private dhe asnjë pjesë e saj nuk është në pronësi të një individi". Prokurorët shtuan se bujku veproi "i planifikuar dhe me qëllim" dhe përdori mekanizëm bujqësor që i mundësoi të realizonte qëllimin e tij.
Banorët kishin pritur për vite që rruga të rindërtohej, dhe shpenzimet për riparimin do të mbulohen në fund nga qyteti. Gjykata vlerësoi dëmin rreth 69.000 euro, ndërsa Kucinska-Budka tha se Administrata Komunale për Rrugët e kishte vlerësuar dëmin rreth 400.000 93.000 euro.
Foto: Policja Gliwice


