Alexandre Adam autor i draft-planit të Komisionit Evropian për integrimin ekonomik gradual
Drafti propozon akses të fazuar në tregun e përbashkët për kandidatët nëse ata përkrahin plotësisht BE-në kundër shteteve armiqësore dhe rivalëve ekonomikë.

Alexandre Adam, diplomati francez që në 2022 hartoi propozimin francez për çlirimin e bllokadës në integrimet e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, tani figuron si autori kryesor i një draft-plani të ri të Komisionit Evropian për integrimin gradual ekonomik të vendeve kandidate.
Sot u publikua se plani parashikon që Bashkimi Evropian të hapë pjesë të tregut të përbashkët për shtetet që presin anëtarësim, por në mënyrë të shkallëzuar dhe me kusht që ato të mbështesin plotësisht bllokun evropian kundër shteteve armiqësore dhe rivalëve ekonomikë.
Cfare synon drafti
Drafti propozon një qasje të fazuar: vendet kandidate mund të përfitojnë akses të përparuar në treg dhe bashkëpunim rregullator para anëtarësimit të plotë, nëse përmbushin kushtet e përcaktuara për përputhje politike dhe siguri. Qëllimi është të forcohet kohezioni strategjik i BE-së dhe njëkohësisht të ofrohen nxitje praktike për vendet aspirante.
Adam aktualisht shërben si zëvendësshef i kabinetit të Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe figuron si arkitekti kryesor i iniciativës. Dokumenti e lidh hapjen e tregut të përbashkët me një mbështetje të palëkundur për pozicionet e BE-së ndaj aktorëve rivalë dhe shteteve të përshkruara si armiqësore.
Para se të kalonte në Bruksel, Adam ishte një nga këshilltarët më të fuqishëm për Europën në Pallatin Elize. Ai iu bashkua ekipit të Emmanuel Macron në fillim të mandatit të parë në 2017 dhe ishte ndër pak bashkëpunëtorët që ruajtën besimin dhe funksionet edhe në mandatin e dytë.
Ky draft pritet të hapë diskutime midis vendeve anëtare për mënyrën se si të balancohet ambicia për zgjerim me shqetësimet gjeopolitike dhe për mekanizmat e kushteve si mjet nxitës në procesin e anëtarësimit.
Foto: Evropska komisija)


