Kryefaqja
Magazina

Kërkoni punë jashtë? Luksemburgu kryeson me 85.609 euro

Të dhënat e Eurostatit (6.11.2026): paga vjetore mesatare për kohë të plotë në BE në 2025 ishte 41.464 euro, me dallime të theksuara.

·Magazina
Kërkoni punë jashtë? Luksemburgu kryeson me 85.609 euro

Dhënat e Eurostatit të publikuara më 6 nëntor 2026 tregojnë se paga mesatare vjetore bruto për punë me kohë të plotë në Bashkimin Evropian për vitin 2025 ishte 41.464 euro. Dallimet mes vendeve janë të mëdha: Luksemburgu raporton pagën më të lartë mesatare prej 85.609 euro, ndërsa Bullgaria rreth 16.201 euro.

Për të siguruar një krahasim më të drejtë, Eurostat konverton pagat e punonjësve me kohë të pjesshme në ekuivalent të kohës së plotë, duke nxjerrë paga vjetore bruto të krahasueshme pavarësisht ndryshimeve në orët e punës. Të dhënat përfshijnë 26 vende anëtare të BE-së dhe tregojnë që hendeku mes pagës më të lartë dhe më të ulët tejkalon pesëfishin — një informacion i vlefshëm për shqiptarët nga Maqedonia që mendojnë të punojnë jashtë vendit.

Pesë vendet mbi 60.000 euro

Luksemburgu udhëheq me 85.609 euro mesatare vjetore. Më pas vijnë Danimarka (73.500 euro), Irlanda (64.387 euro), Belgjika (61.984 euro) dhe Austria (60.727 euro). Këto pesë vende janë të vetmet në BE me pagë mesatare vjetore bruto mbi 60.000 euro.

Fundoret e listës dhe ekonomitë kryesore

Në anën tjetër të shkallës është Bullgaria me 16.201 euro. Më pas vijnë Greqia (18.772 euro) dhe Hungaria (20.138 euro). Rumania (20.818 euro), Sllovakia (21.661 euro) dhe Letonia (22.688 euro) mbeten gjithashtu ndër më të ulëtat.

Midis katër ekonomive më të mëdha të BE-së, Gjermania ka pagën mesatare më të lartë — 56.360 euro — ndërsa Franca është pak mbi mesataren e BE-së me 44.734 euro. Italia (34.213 euro) dhe Spanja (35.125 euro) kanë shuma dukshëm më të ulëta. Finlanda (50.960 euro) dhe Suedia (49.622 euro) janë mbi mesataren e BE-së, ndërsa Kroacia renditet në vendin e 18-të me 26.933 euro.

Krahasimi sipas standardit të fuqisë blerëse (PPS) e zvogëlon diferencën: paga më e lartë blen rreth tri herë më shumë mallra dhe shërbime sesa paga më e ulët, në vend që të jetë më shumë se pesë herë siç tregohet nga krahasimi në euro.

Luksemburgu mbetet i pari me 65.106 PPS, ndërsa Greqia zë vendin e fundit me 21.486 PPS. Bullgaria përparon për dy vende dhe ngjitet në vendin e 24-të. Austria ngjitet nga e pesta në të dytën, Danimarka zbritet nga e dyta në të katërtën, dhe Irlanda nga e treta në të gjashtën. Sllovenia kalon mbi mesataren e BE-së, ndërsa Suedia dhe Franca zbresin poshtë saj. Rumania shënon përparimin më të madh, nga e 23-ta në të 18-tën, ndërsa Estonia regjistron rënien më të madhe, nga e 16-ta në të 21-tën.

Ekspertët shpjegojnë hendekun me nivelet e ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe produktivitetin e punës. Jaan Masso, profesor i asociuar i ekonometrijës së aplikuar në Universitetin e Tartusë, thekson produktivitetin dhe zhvillimin si faktorë kryesorë. Štěpán Jurajda, profesor në CERGE-EI në Pragë, përmend rëndësinë e institucioneve, rregulloreve, politikave për R&D dhe investimeve në arsim. Rregullat e tregut të punës, pagat minimale dhe marrëveshjet kolektive ndikojnë në baraspeshën e pagave. Një faktor tjetër i rëndësishëm është lidhja midis të ardhurave dhe çmimeve: siç vë në dukje Jurajda, me pasurimin e vendeve rriten edhe çmimet, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, ku rritja e produktivitetit është më e vështirë. Për këtë arsye, për njerëzit që jetojnë në një vend, krahasimi sipas fuqisë blerëse mund të jetë më relevant se krahasimi i pagave nominale në euro.

Foto: Fripik

Artikuj të ngjashëm