Moti sot: Diell dhe shumë nxehtë, temperaturat deri 39 gradë
Mëngjesi 13–21°C, dita 33–39°C; erë juglindore me forca lokale përgjatë luginës së Vardarit.

Sot do të mbajë mot i kthjellët dhe shumë i nxehtë me vranësira të vogla deri të mesme lokale, njofton Shërbimi Hidrometeorologjik (UHMR).
Temperaturat e mëngjesit priten të lëvizin nga 13 deri 21 gradë, ndërsa vlerat ditore do të ngjiten nga 33 deri në 39 gradë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi juglindor, që në disa vende përgjatë luginës së Vardarit herë pas here do të forcohet.
Shkup
Në Shkup pritet mot i kthjellët dhe shumë i ngrohtë me vranësira të vogla deri të mesme. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga jugu. Temperatura e mëngjesit do të arrijë rreth 19 gradë, ndërsa ajo ditore deri në 38 gradë.
UHMR paralajmëron se ditët në vijim do të mbesin përgjithësisht të thata dhe shumë të nxehta me vranësira të vogla deri të mesme. Gjatë fundjavës do të ketë kushte për paqëndrueshmëri lokale me reshje të dendura, bubullima, erë më të fortë dhe stuhi të izoluara me erë të fortë dhe breshër.
Në disa zona temperaturat ditore pritet të kalojnë 40 gradë, prandaj rekomandohet të merren masa paraprake për mbrojtje nga nxehtësia.
Foto: UHMR / printskrin


