Ndërsa Maqedonia e Veriut shkarkon punëtorë IT, Evropa mbetet pa mësues dhe staf shëndetësor
OECD: personeli shëndetësor mungon në 23 vende, mësuesit në 21, ndërsa specialistët TIK në 18; ndryshimet demografike do të shtojnë presionin.

Punëdhënësit evropianë ende hasin vështirësi për të gjetur personel të kualifikuar edhe pse presioni në tregun e punës është zvogëluar krahasuar me periudhën pas pandemisë, tregon një analizë e OECD. Mungesa më e madhe është tek pozicionet që kërkojnë njohuri të specializuara ose arsim të lartë.
Studimi që mbulon 27 vende evropiane tregon se më shumë vështirësi ka në sektorin e arsimit — veçanërisht te mësuesit — e më pas tek stafi shëndetësor dhe specialistët e teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK). Të dhënat tregojnë se mungesë e personelit shëndetësor është regjistruar në 23 vende, vështirësi për sigurimin e mësuesve në 21 vende, ndërsa mungesa e specialistëve TIK është evidentuar në 18 vende.
Kjo panoramë ndryshon nga situata në Maqedoninë e Veriut, ku sektori i TI po përjeton shtrim të punëtorëve nga puna, ndërsa profesionistët shëndetësorë prej vitesh largohen jashtë vendit për shkak të pagave të ulëta.
Ka dallime të rëndësishme mes vendeve: OECD thekson se Norvegjia ka problemin më të madh me sigurimin e punëtorëve fizikë, ndërsa në Spanjë është më e vështirë gjetja e ndihmës për përgatitjen e ushqimit në kuzhinë. Ndërkohë, sipas klasifikimit, Austria, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar janë tregje me tepricë relative të ekspertëve TIK.
Përgatitja, mobiliteti dhe pengesat
Dizitalizimi i shpejtë rrit kërkesën për aftësi teknologjike, ndërsa automatizimi po transformon punët që bazohen në detyra rutinë. OECD nënvizon nevojën për trajnime të reja dhe përmirësim të vazhdueshëm të kompetencave. Autoriteti Evropian i Punës (ELA) paralajmëron se pabarazitë mes tregjeve — ku disa shtete kanë mungesë e të tjerat tepricë të të njëjtave profesione — nuk mund të zgjidhen lehtësisht me mobilitet ndërkufitar për shkak të pengesave gjuhësore, procedurave administrative dhe njohjes së kualifikimeve profesionale.
Demografia merr rëndësi të veçantë: parashikimet afatgjata të Komisionit Evropian shfaqin se numri i njerëzve të moshës 20–64 vjet në BE mund të bjerë për deri në 36 milionë deri në vitin 2080 krahasuar me 2025, që përkthehet në një ulje rreth 17 përqind të forcës punëtore. Popullsia e BE pritet të arrijë majën në 2029 me rreth 453 milionë banorë, e më pas të zbresë në afërsi të 414 milionë deri në 2080, ndërsa përqindja e atyre mbi 65 vjeç pritet të rritet nga 22 në 33 përqind.
Komisioni parashikon se edhe me përfshirjen më të madhe të grave dhe personave më të moshuar në tregun e punës, së bashku me një shtyrje të moshës mesatare të daljes në pension për rreth dy vjet, zvogëlimi i popullsisë në moshë pune do të kufizojë rritjen ekonomike. Prandaj zhvillimi i ardhshëm do të mbështetet në masë të madhe te rritja e produktivitetit, investimet teknologjike dhe kapitali më i madh për punëtor; rritja mesatare vjetore e parashikuar për periudhën 2026–2080 është rreth një përqind.
Foto: material shtypi nga ngjarja


