Komisioni Evropian hap hetim ndaj Booking.com për mashtrime dhe shpallje të rreme
Hetimi shqyrton shpalljet e rreme, mashtrimet me mesazhe dhe nëse reklamat e paguara dallohen qartë në platformë.

Komisioni Evropian ka hapur një hetim zyrtar sipas Aktit për Shërbimet Digjitale për të përcaktuar nëse Booking.com po bën mjaftueshëm për të parandaluar mashtrimet, phishing-un dhe ofertat e rreme të akomodimit në platformën e tij.
Zyrtarët e Komisionit thanë se hetimi, i nisur këtë javë, vlen për platformën që e përdorin më shumë se 45 milionë njerëz në Bashkimin Evropian dhe fokusohet në tre segmente kryesore.
Çfarë po shqyrtohet
Së pari, po hetohet nëse platforma dështon të ndalojë shpalljet e rreme të akomodimeve, ku individë paraqiten si pronarë dhe ofrojnë objekte që në të vërtetë nuk i zotërojnë.
Shtylla e dytë e hetimit shqyrton mbrojtjen kundër phishing-ut, mashtrimeve me SMS dhe inxhinierisë sociale. Sipas një zëdhënësi të Komisionit, mashtruesit marrin kontrollin e profileve të hosteve dhe të dhënave të tyre të kontaktit, dhe më pas iu dërgojnë mesazhe përdoruesve për pagesa shtesë. Komisioni gjithashtu dyshon se platforma mund të mos i mbron mjaftueshëm të dhënat e përdoruesve dhe partnerëve të biznesit.
Shtylla e tretë i përket transparencës në reklamim: nëse shpalljet e paguara dallohen qartë nga rezultatet organike dhe nëse platforma tregon qartë se cilat shpallje kanë paguar për pozicionim më të lartë.
Zyrtarët theksuan pranimin e Booking.com në qershor 2024 për një rritje të mashtrimeve turistike midis 500% dhe 900% gjatë 18 muajve të mëparshëm. Për shembull, në pjesën e parë të vitit 2026 në Holandë u raportuan më shumë se 1.000 raste mashtrimi me dëme totale prej 82,000 eurosh — një rritje dhjetëfish në raport me vitin paraprak — dhe të ngjashme janë raportet në pothuajse të gjitha shtetet anëtare.
Ndërkohë që Komisioni vërejti se Booking.com kryen vlerësime rreziku bazuar në raportet e brendshme dhe të jashtme, zyrtarët vlerësuan se masat aktuale nuk i përmbushin standardet dhe se nevojiten sisteme më të forta kundër mashtrimeve. Nga platforma pritet të forcojë kontrollin e rrezikut — përfshirë parandalimin e abuzimit të sistemit të rezervimeve — të heqë shpejt shpalljet e rreme, të verifikojë lejet dhe të ndryshojë mënyrën e pranimit të pronarëve të rinj të akomodimeve.
Një zëdhënës i Booking.com tha se kompania po bashkëpunon plotësisht me Komisionin Evropian dhe përgjigjet në mënyrë konstruktive ndaj të gjitha pyetjeve sipas Aktit për Shërbimet Digjitale, duke shtuar se "siguria, besimi dhe mbrojtja e të dhënave personale mbeten prioritet kryesor në luftën kundër krimit kibernetik dhe mashtrimeve online."
Foto: Buking/printskrin)


