Instituti i Shëndetit Publik: Komunaleci i Gostivarit të kontrollojë kualifikimet e stafit dhe të forcojë monitorimin e klorit
Instituti rekomandon monitorim të vazhdueshëm të klorit rezidual, verifikim të kualifikimeve të stafit dhe rishikim të programit të monitorimit pas heqjes së epidemisë në Gostivar.

Instituti i Shëndetit Publik i ka dhënë një seri rekomandimesh teknike dhe organizative NPK "Komunalec" Gostivar, një muaj pas shpalljes së një epidemie që u lidh me ndotjen e ujit të pijshëm në qytet. Qëllimi i masave është parandalimi i incidenteve të reja dhe forcimi i menaxhimit të përditshëm të sistemit të furnizimit.
Kontrolli i kualifikimeve dhe monitorimi i klorit
Instituti kërkon monitorim të vazhdueshëm të niveleve të klorit në të gjithë rrjetin — nga burimi deri te konsumatorët — dhe vendosjen e një sistemi të automatizuar monitorimi që mat parametra të rëndësishëm për procesin e dezinfektimit, veçanërisht klorin e lirë rezidual, në pika të shumta të rrjetit distribues me alarme automatike për devijimet.
Një nga kërkesat e Institutit është verifikimi që stafi i punësuar në pika kritike të sistemit distribues ka përgatitje profesionale të përshtatshme dhe njohuri themelore për sigurinë e ujit të pijshëm, të kryer nga persona juridikë të autorizuar. Gjithashtu rekomandohen trajnime të vazhdueshme për personelin përgjegjës për operimin dhe mirëmbajtjen, ndërsa stafi në zonën e parë mbrojtëse duhet të i nënshtrohet kontrolleve të rregullta shëndetësore-higjienike.
“Pas heqjes së situatës së emergjencës në Gostivar, të sigurohet klor i lirë rezidual në rrjetin distribues në përqendrime të përshtatshme për të mbajtur sigurinë mikrobiologjike të ujit, me vlerën operative synuese në rangun 0,2–0,5 mg/L, sipas kushteve të sistemit dhe rregulloreve në fuqi. Të kryhet gjithashtu analizë hidraulike dhe operative e rrjetit distribues për të identifikuar shkaqet e variacioneve të klorit të lirë rezidual, veçanërisht në lidhje me kohët e mbajtjes së ujit, degët e vdekura, zonat me konsum të ulët, ndryshimet në rrjedhë, mundësinë e përzierjes së ujërave nga pjesë të ndryshme të sistemit dhe kushte të tjera që mund të ndikojnë në kohën e qëndrueshmërisë dhe kërkesën për klor,” thuhet në rekomandimet e Institutit.
Instituti sugjeron gjithashtu rishikimin e Programit ekzistues të monitorimit, të bazuar në vlerësimin e rrezikut, në mënyrë që të përfshijë të gjitha pikat kritike të kontrollit dhe masat e menaxhimit të rrezikut në të gjithë sistemin e furnizimit. Në planin për shpëlarje periodike të rrjetit duhet të përqendrohet veçanërisht në skajet, seksionet periferike dhe pjesët me rrjedhje të ulët ku mund të ndodhë stagnimi.
Si masa afatgjata rekomandohet sigurimi i kapacitetit të mjaftueshëm të furnizimit për të gjitha vendbanimet, sidomos gjatë periudhave të konsumit të shtuar, dhe identifikimi i burimeve të reja uji për të përmbushur kërkesat në rritje. Përditshmërisht, ndërmarrja duhet të kryejë monitorim të rregullt të cilësisë dhe sigurisë së ujit, përfshirë kontroll të përditshëm të parametrave bazë dhe vlerësim teknik të gjendjes, funksionalitetit dhe kapacitetit të stacionit të filtrimit.
Inspektorët komunalë në komunën e Gostivarit u ftuan të intensifikojnë kontrollet në terren për përdorim racional të ujit dhe për të zbuluar lidhje të paligjshme ose rrjedhje. Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski njoftoi sot se është hequr situata e epidemisë në Gostivar, e shpallur para një muaji.
Foto: material shtypi nga ngjarja


