Kina konfirmon bisedime për takim mes Trump, Putin dhe Xi
Pekini thotë se po komunikon me palët e interesuara për një takim të mundshëm gjatë nëntorit në margjinat e APEC në Shenzhen.

Kina ka konfirmuar se po zhvillohen bisedime për organizimin e një takimi që do t’i mbledhë së bashku Presidentin e SHBA, Donald Trump, Presidentin rus Vladimir Putin dhe liderin kinez Xi Jinping. Nëse do të realizohej, do të ishte një takim historik i tre udhëheqësve ndërsa tensionet gjeopolitike dhe konfliktet aktive vazhdojnë në disa pjesë të botës.
Zëdhënësja Mao Ning tha se Pekini po komunikon me palët e interesuara për mundësinë që tre presidentët të takohen gjatë nëntorit. Deri tani nuk ekziston një marrëveshje përfundimtare për mbajtjen e takimit, as një agjendë zyrtare.
Sipas burimeve diplomatike dhe analistëve, takimi i mundshëm planifikohet të mbahet në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Aziatik-Paqësor (APEC) në qytetin kinez Shenzhen. Data dhe formati janë ende në diskutim.
Prioritetet e udhëheqësve janë të ndryshme
Trump tashmë ka shfaqur interes për bisedime me Putin dhe Xi, me fokus të veçantë në kontrollin e armëve bërthamore. Nga ana e tij, Presidenti Putin dëshiron që lufta në Ukrainë të jetë në qendër të diskutimeve.
Burimet diplomatike dhe analistët vlerësojnë se Moska sheh mundësi për të forcuar pozicionin e saj diplomatik përmes një takimi të tillë, ndërsa Pekini synon të mbajë marrëdhënie të balancuara me Uashingtonin dhe Moskën. Analistët paralajmërojnë se interesat e tre fuqive ndahen ndjeshëm mbi çështje si Ukraina, Irani dhe armët bërthamore, prandaj takimi do të ketë më shumë rëndësi simbolike sesa marrëveshje konkrete.
Takimi i mundshëm vjen ndërsa SHBA dhe Kina përpiqen të ruajnë një marrëveshje tregtare të brishtë që pritet të skadojë në janar. Përfaqësuesi tregtar i SHBA, Jamison Greer, të premten i bëri thirrje autoriteteve kineze të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre lidhur me blerjet bujqësore dhe furnizimin me metale të rralla dhe minerale kritike, ndërsa pala kineze ka shprehur shqetësim për kufizimet tregtare amerikane.
Foto: material shtypi nga ngjarja


