Kryefaqja
Maqedonia

MANU propozon „miniera të qëndrueshme” që do të testohet me projekte si Ilovica–Shtuka

Strategjia e MANU për 2026–2046 propozon zbatimin e 'minierave të qëndrueshme' dhe nënvizon rolin e mineraleve në teknologjitë e gjelbra.

·Maqedonia
MANU propozon „miniera të qëndrueshme” që do të testohet me projekte si Ilovica–Shtuka

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë (MANU) ka përgatitur një Strategji për burimet minerale për periudhën 2026–2046, ku argumenton se minierat dhe tranzicioni i gjelbër mund të jenë pjesë përbërëse të të njëjtit proces zhvillimor, dhe propozon që projekte si Ilovica–Shtuka të shfrytëzohen si vende testimi për zbatimin e këtyre parimeve.

Gjatë ceremonisë për Ditën e Minierave, Aleksandar Dedinec, bashkëpunëtor shkencor në MANU dhe anëtar i ekipit që punoi në strategji, theksoi se Maqedonisë i duhet të zhvillojë „miniera të qëndrueshme dhe të bazuara shkencërisht, që njëkohësisht do të shfrytëzojnë burimet natyrore dhe do ta mbrojnë mjedisin."

Dedinec paralajmëroi se debati duhet të tejkalojë ndarjen thjesht për ose kundër minierave: "Pyetja e vërtetë nuk duhet të jetë nëse jemi 'për ose kundër minierave', por 'çfarë lloj minierash duam'." Ai tha se strategjia hap hapësirë për projekte me teknologji moderne dhe standarde të larta mjedisore, në mënyrë që përfitimet ekonomike nga mineralet të shoqërohen me përgjegjësi ndaj mjedisit.

Minierat si pjesë e rritjes së gjelbër

Dedinec propozoi që Ilovica–Shtuka mund të shërbejë si „një nga projektet përmes të cilave do të testohet zbatimi i parimeve të minierave të qëndrueshme në Maqedoni." Ai nënvizoi se gjeologjia e vendit, edhe pse Maqedonia është e vogël, siguron një potencial të rëndësishëm dhe të larmishëm mineral: bakër, argjend, ar, plumb, zink, nikël, krom dhe mangan, si dhe një numër i konsiderueshëm i mineraleve industriale, qymyr dhe ujë i pijshëm.

"Ne kemi çfarë të ofrojmë. Edhe pse jemi një shtet i vogël, përbërja jonë gjeologjike na jep një potencial të rëndësishëm dhe të larmishëm mineral. Strategjia njeh bakrin, argjendin, arin, plumbin, zinkun, nikelin, kromin, manganin, por edhe një numër të konsiderueshëm të mineraleve industriale, si dhe qymyrin dhe ujin e pijshëm. Ky është një potencial që nuk duhet as ta teprojmë dhe as ta injorojmë. Duhet ta eksplorojmë me zgjuarsi, të dimë me çka disponojmë," tha Dedinec në prezantim.

Ai gjithashtu lidhte burimet minerale me synimet e dekarbonizimit: "Nuk mund të flasim për zhvillimin ekonomik të ardhshëm pa folur për energjinë. Nuk mund të flasim për të ardhmen e energjetikës pa folur për ndryshimet klimatike, dhe po bëhet gjithnjë e më e qartë se nuk mund të flasim për dekarbonizim dhe tranzicion të gjelbër pa folur për burimet minerale… Për të ndërtuar një ekonomi me emetime të ulëta karboni do të na duhen më shumë, jo më pak, nga disa burime minerale të caktuara. Nuk ka centrale diellore pa burime minerale, nuk ka turbina ere pa metale, nuk ka automjete elektrike, bateri, telefona celularë dhe elektronikë moderne pa lëndë të para që diku duhet të eksplorohen, të nxirren, të përpunohen dhe të vendosen në funksion. Pikërisht për këtë arsye strategjia thekson se metalet janë një kusht paraprak për teknologjitë moderne…"

Si të dhënë mbi gjendjen e sektorit, strategjia citon shifrat e vitit 2025: ishin prodhuar 130.174 tonë koncentrat bakri, plumbi dhe zinku, ndërsa minierat kontribuan me 10.9 për qind në prodhimin industrial dhe me 2.8 për qind në eksportin total të vendit.

Foto: iportal.mk

Artikuj të ngjashëm