Mickoski: Ne nuk kërkojmë që Europa të zgjedhë mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, por që parimet evropiane të vlejnë njësoj për të gjithë
Në akademinë e 11 Tetorit ai kërkoi unitet kombëtar, mbrojtje të identitetit dhe trajtim të drejtë nga Europa.

Kryeministri Hristijan Mickoski në akademinë e përvjetorit në Kumanovë, me rastin e 11 Tetorit — Ditës së Kryengritjes Popullore, kërkoi unitet kombëtar, mbrojtje të dinjitetit dhe trajtim të barabartë nga Europa në marrëdhëniet me fqinjët.
Në fjalimin e hapjes, mbajtur te Ossuary Memorial nën moton „Idealet që ndërtojnë të ardhmen“, Mickoski kujtoi sakrificat dhe përgjegjësinë ndaj brezave të ardhshëm. "Sot qëndrojmë përballë historisë së një populli që nëpër shekuj ka kaluar shumë sprova, shumë padrejtësi, rrëmujë, por kurrë nuk u dorëzua nga e drejta e tij për të qenë i lirë, për të qenë vetvetja, për të pasur shtëpinë e vet dhe shtetin e vet," tha kryeministri.
Dinjiteti nuk është i negociueshëm
Mickoski apeloi për tejkalim të ndarjeve dhe përballje me dobësitë e brendshme, duke theksuar se shteti mbron me parime, besim dhe rezultate, jo me fyerje apo marrëveshje të fshehta. "Shteti është një premtim ndaj çdo qytetari që e ardhmja e tij nuk do të varet nga interesat personale të dikujt, por nga puna e tij, njohuritë e tij dhe aftësitë e tij. Dhe këtu qëndron përgjegjësia jonë më e madhe. Të ndërtojmë një atdhe që nuk do të festojë vetëm historinë e vet. Por një shtet që do të krijojë fitore të reja për historinë. Histori të suksesit ekonomik, drejtësisë institucionale, dinjitetit kombëtar. Histori të zhvillimit dhe përparimit," u shpreh ai.
Duke u ndalur te marrëdhënia me fqinjën lindore, Mickoski theksoi se identiteti maqedonas nuk është çështje tregëtie. "Nuk do të ndërtojmë të ardhmen mbi urrejtje. Nuk do ta kthejmë dallimin në armiqësi. Nuk do të lejojmë që e kaluara të jetë pengesë për bashkëpunim. Por as nuk do t'i heqim dorë dinjitetit tonë. Sepse miqësia e vërtetë nuk kërkon heqje dorë nga vetja. Miqësia e vërtetë bazohet në respekt të ndërsjellë. Dhe e ardhmja e vërtetë evropiane duhet të jetë e tillë që shteti të hyjë me kokë të ngritur. Jo me ndjesinë e humbjes. Por me ndjesinë e përkatësisë," tha ai.
Ai përsëriti kërkesën për drejtësi evropiane: "Me fqinjën tonë lindore na lidhë fqinjësia, historia dhe e ardhmja e kësaj rregjioni. Për të kaluarën mund të kemi interpretime të ndryshme. Për të ardhmen duhet të kemi përgjegjësi të përbashkët – të ndërtojmë marrëdhënie ku askush të mos ketë nevojë ta mohojë tjetrin për të vërtetuar veten. Gjuha jonë nuk është pengesë për të ardhmen evropiane. Ajo është pjesë e pasurisë kulturore evropiane. Identiteti ynë nuk është problem që duhet zgjidhur, por dinjitet që duhet respektuar. Ne nuk kërkojmë që Evropa të zgjedhë mes nesh dhe tyre. Ne kërkojmë që parimet evropiane të vlejnë njësoj për të gjithë. Nuk dua që brezat e ardhshëm të trashëgojnë mosbesimin tonë. Dua që ata të trashëgojnë guximin tonë për të zgjidhur problemet," deklaroi Mickoski.
Ai i ftoi qytetarët të synojnë objektiva kombëtare më ambicioze dhe të marrin vendime të guximshme, në mënyrë që shteti të mos mbijetojë thjesht, por të përparojë. "Është koha për vendime të mëdha. Është koha për vepra të mëdha. Është koha për një vetëbesim të ri kombëtar," përfundoi kryeministri, duke theksuar detyrimin për t'ia lënë fëmijëve një shtet më të fuqishëm dhe më të drejtë.
Foto: Vlada na Republika Severna Makedonija, Sektor za odnosi so j


