Kryefaqja
Maqedonia

Mickoski njofton takime me blerës të mundshëm për Alta Bank

Kryeministri tha nga Valandova se Banka Popullore dhe Qeveria kontrollojnë situatën dhe synojnë të gjejnë pronar të ri.

·Maqedonia
Mickoski njofton takime me blerës të mundshëm për Alta Bank

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Banka Popullore dhe qeveria disponojnë instrumente për të kontrolluar plotësisht situatën me Alta Bank dhe se synimi është të ruhet institucioni dhe të mbrohen depozitat. Deklarata u dha pas inaugurimit të fazës së tretë të sistemit të ujitjes “Straishte” në komunën e Valandovës.

Qeveria do të kërkojë blerës

Mickoski tha se qeveria është në kërkim të një blerësi për Alta Bank dhe hodhi poshtë pretendimet e opozitës SDSM se zgjidhjet e propozuara nuk do të japin rezultat. Ai vlerësoi se banka është, sipas tij, një institucion financiar i shëndetshëm dhe se autoritetet duan të shmangin humbjet për depozituesit.

Ai akuzoi Lëvizjen Socialdemokrate (SDSM) se gëzohet për skenarët alarmues dhe e kundërshtoi këtë me përpjekjet e qeverisë për të gjetur zgjidhje. "Ata gëzohen që qytetarët të mos kompensohen sipas parimit TAT nga koha e SDSM, sipas parimit të Eurostandard bank nga koha e SDSM. Unë e thashë dhe qëndroj me atë që çdo kreditor, çdo kursimtar do të kompensohet deri në centin e fundit, sepse pjesa më e madhe e depozitave të kursimit janë të sigurta në Fondin për sigurimin e depozitave, dhe aktiva e bankës është shumë më e madhe se kërkesat. Por ne mundohemi të mos arrijmë deri aty, pra deri te ky skenar i zi për të cilin SDSM lutet çdo ditë, domethënë të gjejmë një blerës.", tha kryeministri nga Valandova.

Për hapat konkretë, Mickoski njoftoi: "Në disa ditët e ardhshme, së bashku me guvernatorin dhe ministren e financave, do të kemi takime me disa institucione financiare që mund të jenë blerës të mundshëm të bankës."

Ai gjithashtu komentoi zhvillimet e fundit në Serbi, duke thënë se këmbimtarët atje kanë kufizuar shkëmbimin e euros në 300–400 euro, çka ai e përshkroi si një tregues serioz për stabilitetin e sistemit bankar serb. "Pra, nuk mund të kryhet më konvertimi i monedhës lokale dinarë në euro. Dhe kjo përbën një tregues serioz për stabilitetin e sistemit të tyre bankar. Shpresoj që skenari më i keq të shmanget sepse Serbia është një partner i rëndësishëm tregtar për Maqedoninë," tha ai.

Mickoski paralajmëroi se problemet në Serbi mund të kenë ndikim edhe te kompanitë maqedonase që bashkëpunojnë me partnerë serbë, dhe tha se shumë kompani maqedonase kanë partnerë me llogari dhe fonde të bllokuara në Alta Bank dhe se disa biznese kanë mbyllur ose falimentuar. "Shumë kompani tona bashkëpunojnë me kompani serbe dhe shumë nga pronarët e tyre më telefonojnë dhe më pyesin se çfarë të bëjnë, sepse partnerët e tyre nga Serbia kanë llogari dhe fonde të bllokuara në Alta Bank. Disa prej tyre madje kanë mbyllur biznesin e tyre, dmth. kanë falimentuar, kështu që praktikisht kompanitë tona tani kanë problem," tha ai.

SDSM reagoi duke kërkuar hetim penal të menjëhershëm për Mickoski, guvernatorin e Bankës Popullore Trajko Slaveski dhe ministres së Financave Gordana Kochoska, duke thënë se tre personat luajtën rol në hyrjen e Alta Bank në tregun maqedonas dhe duhet të hetohen. Zëdhënësja e SDSM, Bogdanka Kuzeska, kërkoi nga Prokuroria Publike të veprojë pa vonesë: "Ne kërkojmë që Prokuroria të mos presë dhe të mos justifikohet se ka kohë. Nuk ka kohë, është vonuar 11 muaj. Të hapë menjëherë hetim edhe për Mickoski, Slaveski dhe Kochoska. Të përfshihet Prokuroria Evropiane për të kontrolluar rrjedhën e të gjitha parave për Alta Bank. Të gjithë të përfshirët në skandalin e Alta Bank të përgjigjen."

Ndërkaq, Banka Popullore ka vendosur administrim të përkohshëm në Alta Bank Bitola deri në ndryshimin e pronësisë së bankës.

Foto: Printskrin

Artikuj të ngjashëm