Grupi “764” shantazhon fëmijët online, paralajmëron Ministria
Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëron për rritjen e rasteve ku të rinjtë manipulohen dhe kërcënohen në rrjete sociale dhe lojëra online.

20 nëntor 2026 — Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut u bëri thirrje prindërve, kujdestarëve, mësuesve dhe publikut të jenë vigjilentë për shfaqjen e një rrjeti online të njohur si “764” që synon fëmijët dhe të rinjtë përmes rrjeteve sociale, aplikacioneve dhe lojërave online.
Sipas Ministrisë, anëtarët e grupit shpesh paraqiten si bashkëmoshatarë ose persona të interesuar për lidhje shoqërore apo emocionale, dhe më pas përdorin manipulimin, kërcënimet dhe shantazhin për t’i detyruar viktimat të ndajnë foto dhe video intime, të vetëdëmtohen, të kryejnë dhunë ndaj të tjerëve ose ndaj kafshëve, ose të ndërmarrin veprime që mund të rrezikojnë jetën. Materialet e siguruara përdoren më pas për frikësim dhe kontroll.
Ministria thotë se grupi vepron në platforma të ndryshme, përfshirë Discord, Telegram, Roblox, Instagram, TikTok, Snapchat, Reddit, X, Minecraft dhe Fortnite. Po ashtu, institucione ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë Byron Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), e lidhin “764” me komunitete ekstreme të dhunshme me tendenca nihiliste.
Si të reagojnë prindërit
Prindërit duhet të vëzhgojnë ndryshime të papritura në sjelljen e fëmijëve. Ministria rendit shenjat e mëposhtme si tregues të mundshëm të shfrytëzimit online:
- tërheqje nga shoqëria, frikë, ankth ose irritim i shtuar;
- fshehje ose sekretim i përdorimit të telefonit apo kompjuterit;
- komunikim intensiv me persona të panjohur në rrjete sociale ose platforma lojrash;
- pranim i mesazheve kërcënuese, shantazh apo kërkesa për foto dhe video;
- plagë të pazakonta, prerje ose gërvishtje që mund të jenë shenja të vetëdëmtimit;
- shprehje pafuqie ose biseda për vdekje dhe vetëvrasje.
Ministria nënvizon se këto shenja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht që fëmija është viktimë, por ato nuk duhet të neglizhohen. Rekomandohen biseda të hapura, dëgjim i kujdesshëm dhe veprim i shpejtë në rast dyshimi. Prindërit duhet të flasin rregullisht me fëmijët për aktivitetet online dhe t’i edukojnë mbi rreziqet e ndarjes së të dhënave personale dhe materialeve intime me të panjohur.
Çdo informacion ose dyshim për aktivitetet e lidhura me grupin “764” ose grupe të ngjashme duhet të raportohen te Sektori për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale. Ministria këshillon të ruhen mesazhet, emrat e përdoruesve, lidhjet dhe të dhënat e tjera relevante dhe të shmanget konfrontimi i drejtpërdrejtë me personat që bëjnë kërcënime.
Analizat e publikuara së fundmi nga UNICEF tregojnë se më shumë se 11,700 fëmijë në Maqedoninë e Veriut janë ekspozuar ndaj abuzimit online; shqetësuese janë kërcënimet, shantazhet dhe keqpërdorimi i inteligjencës artificiale. “Jini të kujdesshëm, bisedoni me fëmijët dhe raportoni çdo aktivitet të dyshimtë”, apeloi Ministria e Punëve të Brendshme.
Foto: material shtypi nga ngjarja


