Hetimi zgjerohet: shtatë të dyshuar të rinj pas kontrabandës së 5 tonëve marihuanë
Prokuroria nxjerr urdhër për shtatë të dyshuar të rinj pas provave që tregojnë rrjet më të gjerë dhe bashkëpunimit me Serbinë.

Dy persona tashmë janë dënuar për kontrabandën e pesë tonëve marihuanë në Serbi, ndërsa Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka zgjatur hetimet duke lëshuar një urdhër të ri për procedurë hetimore ndaj edhe shtatë të dyshuarve të tjerë.
Prokuroria njoftoi se provat e mbledhura dhe bashkëpunimi ndërkombëtar me autoritetet serbe zbuluan një rrjet më të gjerë të përfshirë në trafikimin e marihuanës nga Maqedonia e Veriut drejt Serbisë. Të pandehurit e rinj akuzohen për prodhim të paautorizuar dhe vënien në treg të drogërave narkotike, substancave psikotrope dhe parakursore si pjesë e një grupi të organizuar kriminal.
Sipas hetimit që nisi në shkurt, aktivitetet kriminale janë kryer nga viti 2025 deri në fund të janarit 2026. Hetuesit thonë se në skemë kanë qenë të përfshirë gjashtë të dyshuar në Serbi, gjashtë nga hetimi fillestar maqedonas, shtatë të dyshuarit e rinj dhe persona të tjerë ende të papërcaktuar, të cilët organizuan furnizimin, transportin dhe shitjen e drogës.
Në shërbim të skemës: një kompani si paravan
Si maskë për aktivitetet kriminale është përdorur një person juridik i regjistruar në Shkup që ka licencë për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe leje për prodhimin e ekstrakteve. Pronaritë e kompanisë, njëri prej të cilëve është drejtues, dyshohen se organizuan transferet ndërkufitare të drogës.
Zgjerimi i hetimit erdhi pas veprimeve të përbashkëta hetimore me homologët serbë dhe provave të reja të siguruara pas procedurave fillestare. Prokuroria thotë se synon të identifikojë të gjithë pjesëmarrësit në zinxhirin e furnizimit dhe të marrë masa ligjore kundër organizatorëve.
Foto: MVR na Srbija


