OKB përsëri i kërkon heqjen e embargos së SHBA ndaj Kubës; Maqedonia e Veriut votoi "kundër"
Mbështetja ra krahasuar me vitin e kaluar; disa shtete perëndimore abstenuan, ndërsa Shkupi ishte në grupin e kundërshtuesve.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara sot miratoi një rezolutë që i bën thirrje heqjes së embargos ekonomik të Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës. Rezoluta u miratua me 130 vota "për", 17 "kundër" dhe 25 abstenime — mbështetje e zvogëluar në krahasim me vitin e kaluar, kur 165 vende votuan "për", shtatë ishin "kundër" dhe 12 abstenime.
Midis vendeve që votuan "kundër" ishte edhe Maqedonia e Veriut. Të tjera në këtë grup ishin Bosnja dhe Hercegovina, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, Lituania, Maroku, Paraguai dhe Sllovenia. Disa vende perëndimore, përfshirë Gjermaninë dhe Italinë, abstenuan për herë të parë pas shumë vjetësh.
Kjo lëvizje e votimit erdhi pas përpjekjeve të intensifikuara diplomatike të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për t'i bindur vendet anëtare që të kundërshtojnë rezolutën ose të abstenojnë.
Ministri i jashtëm kuban, Bruno Rodriguez, para votimit akuzoi Shtetet e Bashkuara se po zhvillojnë një luftë ekonomike kundër vendit të tij dhe vlerësoi se Kuba nuk përbën kërcënim. Përfaqësuesi amerikan në OKB, Majk Volc, i bëri thirrje vendeve anëtare që të mos e mbështesin rezolutën, duke thënë se qeveria kubane e përdor votimin për propagandë politike. Debati u ndez me një përplasje të ashpër verbale mes Volc dhe Rodriguez, që nënvizoi tensionet midis Uashingtonit dhe Havanos.
Pasojat dhe konteksti
Pas votimit, Majk Volc deklaroi se është i kënaqur që më shumë vende, duke përfshirë ekonomitë e mëdha, e ndryshuan qëndrimin e tyre. Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë të detyrueshme ligjërisht, por paraqesin shprehjen e qëndrimit të komunitetit ndërkombëtar.
Embargoja amerikane ndaj Kubës u vendos në 1960, pas revolucionit të udhëhequr nga Fidel Castro dhe pas nacionalizimit të pronave të qytetarëve dhe kompanive amerikane. Marrëdhëniet u përkeqësuan më tej kur administrata e Donald Trump njoftoi tarifa për vendet që i shesin ose furnizojnë naftë Kubës. Këto masa ndihmuan në ndërprerjet e furnizimit me karburant dhe energji elektrike në ishull, me pasoja për shërbimet bazë, përfshirë furnizimin me ujë dhe telekomunikacionet.
Foto: Printskrin


