"A ka fund kjo çmenduri?": Filipçe akuzoi se institucionet heshtën ndërsa u helmuan mbi 3.000 njerëz në Gostivar
Prokuroria hapi hetim vetëm pas presionit publik, ndërsa pushteti në një moment e shpalli ujin të pijshëm, pretendon lideri i LSDM-së që kërkon dorëheqje dhe përgjegjësi penale

Ndotja e ujit në Gostivar filloi nga fundi i qershorit, por institucionet heshtën dhe nuk reaguan — madje në një moment uji u shpall i pijshëm. Këto janë akuzat kryesore që lideri i LSDM-së Venko Filipçe i paraqiti në një konferencë për shtyp kushtuar krizës shëndetësore e cila, sipas tij, përfundoi me helmimin e më shumë se 3.000 qytetarëve.
"Dhe e shpallën ujin të pijshëm. A ka fund kjo çmenduri? Kush janë këta njerëz që e udhëheqin shtetin? A e dinë çfarë po bëjnë?" pyeti Filipçe, dukshëm i revoltuar nga sjellja e organeve kompetente.
Ai theksoi se Prokuroria Publike hapi hetim vetëm pasi u ngrit opinioni publik, dhe jo në bazë të raporteve nga Ministria e Shëndetësisë apo Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë — institucionet që duhej të alarmonin të parat.
"Cilësia e ujit nuk është sekret i hetimit"
Filipçe kritikoi ashpër edhe thirrjen në "fshehtësinë e hetimit" si justifikim për fshehjen e informacioneve me rëndësi jetike për shëndetin e qytetarëve.
"Ky është një ndërrim i rrezikshëm tezash. Sepse cilësia e ujit nuk është sekret brenda hetimit, por është fakt me rëndësi për shëndetin publik. Këtë fakt qytetarët thjesht duhet ta dinë," tha ai.
Sipas liderit të opozitës, pikërisht kjo qasje çoi në përhapjen e epidemisë: "Si rezultat i kësaj qasjeje, u helmuan mbi 3.000 njerëz në Gostivar. Pra, ndërsa prokuroria bënte taktika dhe të gjitha institucionet shëndetësore dhe autoritetet heshtnin, epidemia përhapej në Gostivar."
Kërkesë për dorëheqje dhe përgjegjësi penale
Filipçe kërkoi përgjegjësi politike nga ministri i Shëndetësisë, drejtorët e institucioneve të shëndetit publik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, por edhe nga Prokuroria.
"Kërkojmë përgjegjësi politike dhe dorëheqje nga këta njerëz, sepse luajtën dhe po luajnë me shëndetin e qytetarëve," porositi ai, duke kërkuar edhe inspektime të jashtëzakonshme urgjente dhe analiza kimiko-mikrobiologjike të të gjitha stacioneve të furnizimit me ujë në vend, rezultatet e të cilave të publikohen menjëherë.


