Zjarri në Puls nxiti kontrolle më të rrepta, por mungon trajnimi praktik
Pas tragjedisë në Kochani inspektimet u intensifikuan, por specialistët thonë se paisjet vetë nuk mjaftojnë pa trajnime praktike dhe stërvitje të rregullta.

Zjarri në lokalın “Puls” nxiti kontrolle më të rrepta për përputhshmërinë me rregullat e mbrojtjes nga zjarri, por ekspertët paralajmërojnë se inspektimet duhet të shoqërohen me stërvitje praktike për stafin dhe kompanitë që menaxhojnë hapësirat publike.
Sipas specialistëve, autoritetet kanë intensifikuar verifikimet nëse ndërtesat kanë plane evakuimi dhe shpëtimi të miratuara, ekspertiza teknike dhe pajisje të funksionueshme për zjarret. Megjithatë, ata nënvizojnë se edhe paisjet më të përparuara janë të padobishme nëse njerëzit në vendngjarje nuk dinë t’i përdorin ato.
Stërvitjet praktike, lidhja e humbur
“Njerëzit nuk janë të trajnuar, shpesh kapen nga paniku dhe as nuk dinë të shtypin numrin e repartit të zjarrfikësve. Qëllimi është të ndërhyhet në minutat e para, atëherë edhe zjarret më të mëdha mund të parandalohen. Nëse e humbim atë moment, pavarësisht nëse zjarrfikësit do të vijnë dhe do ta lokalizojnë zjarrin, dëmet do të jenë shumë më të mëdha,” tha Zoran Dorevski, ekspert për mbrojtje nga zjarret.
Pas tragjedisë në Kochani, autoritetet thonë se është përforcuar puna për të krijuar një trekëndësh bashkëpunimi mes Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, institucioneve shtetërore dhe kompanive private që ofrojnë shërbime të sigurisë nga zjarri. “Për herë të parë po vendoset koordinim ku të gjitha institucionet do të veprojnë në të njëjtin drejtim. Një institucion nuk mund të kërkojë një gjë, ndërsa situata në terren të tregojë diçka tjetër. Kochani na tregoi se mungonte koordinimi midis institucioneve, kompanive dhe firmave që punojnë në mbrojtjen nga zjarret,” tha Marija Kukunovska, presidente e Dhomës për Mbrojtje nga Zjarret dhe Menaxhim të Krizave.
Si pjesë e këtyre përpjekjeve, në stadiumin Pod Tumbe Kafe në Bitola u zhvillua një stërvitje demonstrative që simuloi një zjarr dhe evakuim, me pjesëmarrjen e të gjitha shërbimeve dhe personelit përgjegjës për protokollet. Qëllimi ishte të testohen gatishmëria dhe koordinimi i të gjithë aktorëve në rast të një emergjence të vërtetë.
Ekspertët bëjnë thirrje që kontrollet inspektuese të shoqërohen me stërvitje të rregullta dhe trajnime bazë për qytetarët. Sipas tyre, vetëm përmes koordinimit të qëndrueshëm dhe praktikimit të vazhdueshëm mund të ulet koha e reagimit në minutat kritike të para dhe të pakësohen dëmet nga ngjarje të ardhshme.
Foto: material shtypi nga ngjarja


