Banka Botërore: rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor do të përshpejtohet në 2026
Raporti i ri parashikon 3.1% rritje për gjashtë ekonomitë në 2026 dhe nxjerr në pah nevojën për ulje të kostove prapa kufirit.

Banka Botërore në raportin e ri të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor të publikuar sot parashikon se rritja ekonomike e rajonit do të përshpejtohet në 2026 dhe do të forcohet më tej në 2027, të nxitur kryesisht nga konsumatorët dhe investimet. Raporti vëren se ekonomia rajonale ka treguar qëndrueshmëri ndaj tronditjeve dhe po afrohet gradualisht me nivelin e Bashkimit Evropian.
Parashikimet tregojnë se rritja mesatare për Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë do të arrijë 3.1 përqind në 2026, krahasuar me 2.6 përqind në 2025. Parashikohet të rritet në 3.4 përqind në 2027 dhe të mbetet në atë nivel në 2028.
"Në një kohë të rritur pasigurie gjeopolitike dhe rritjeje të dobët mes partnerëve kyçë tregtarë, Ballkani Perëndimor përsëri tregoi qëndrueshmëri ekonomike. Por vetëm qëndrueshmëria nuk mjafton që rajoni të arijë të ardhurat mesatare të Bashkimit Evropian ose të krijojë vendet e punës cilësore që njerëzit kanë nevojë. Vendimet për punësim vijnë nga sektorët privatë dinamikë, dhe faza e ardhshme e rritjes kërkon rregullore efikase, të parashikueshme dhe heqjen e barrierave tregtare, jo vetëm në kufi por edhe prapa saj", tha Sjaoqing Yu, Drejtor i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
Raporti vëren se rundet e njëpasnjëshme të liberalizimit të tarifave e kanë integruar Ballkanin Perëndimor në tregtinë globale: tregtia me mallra dhe shërbime arriti në 107 përqind të PBB-së rajonale në 2025, mbi mesataren e BE-së prej 90 përqind, ndërsa eksportet e shërbimeve u rritën katërfish ndërmjet 2010 dhe 2025. Sipas raportit, gjenerata tjetër e reformave duhet t’u ndihmojë kompanive të përfitojnë më plotë dhe më qëndrueshëm nga ky akses në treg, duke reduktuar kostot e panevojshme prapa kufirit.
Kostoja e barrierave dhe fitimet e mundshme
Tarifat mesatare të zbatuara për të gjitha mallrat e importuara në Ballkanin Perëndimor janë rreth 6 përqind, por masat jo-tarifore shtojnë rreth 10 përqind të tjera në kostot e importit. Këto kosto janë veçanërisht të larta në disa sektorë agri-ushqimorë, duke tejkaluar 20 përqind. Kufizimet për shërbimet ndërkufitare vlerësohen se shtojnë rreth 29 përqind të kostove. Simulimet e raportit tregojnë se heqja e gjysmës së barrierave të mbetura për import — si kërkesat për licencim dhe autorizime, inspektimet e përsëritura, procedurat e certifikimit dhe rregullat për prezencë lokale — mund të rrisë PBB-në deri në 12.5 përqind në mesëm afat.
Kostot më të larta të importit vështirësojnë gjithashtu eksportet dhe qëndrueshmërinë në tregjet e huaja për kompanitë rajonale. Vetëm rreth një e treta e kompanive të reja eksportuese mbijetojnë vitin e parë, dhe vetëm 1 deri në 4 përqind arrijnë vitin e pestë. Kjo ka rëndësi për punësimin: kompanitë e orientuara drejt tregtisë punësojnë shumicën e punëtorëve në sektorin prodhues, janë përgjithësisht më të mëdha dhe paguajnë më mirë sesa firmat e orientuara vetëm në tregun e brendshëm.
Për ta kthyer qasjen e përmirësuar në tregje në vende pune të qëndrueshme dhe të ardhura më të larta, raporti inkurajon politikat që të fokusohet në rregullore më të mira — jo vetëm më të vogla: thjeshtimi dhe dixhitalizimi i procedurave, përdorimi i inspektimeve bazë në rrezik, njohja e standardeve dhe kualifikimeve të përputhura, dhe ruajtja e masave mbrojtëse që shërbejnë qëllime legjitime publike.
Foto: material shtypi nga ngjarja


