WHO dhe ECDC paralajmërojnë: Dy baktere spitalore tregojnë rezistencë të lartë ndaj antibiotikëve në Evropë
Raporti tregon se në shumë vende mbi 50% e mostrave të testuara janë rezistente në antibiotikë kyç, duke vështirësuar trajtimin e infeksioneve serioze.

Në një raport të përbashkët, Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), botuar më 18 nëntor, konstatojnë se dy baktere të rrezikshme spitalore tregojnë rezistencë të lartë ndaj antibiotikëve kyç në rreth gjysmën e vendeve evropiane që kanë dërguar të dhëna. Situata e vështirëson trajtimin e infeksioneve serioze.
Të dhënat kryesore
Të dhënat e vitit 2025 tregojnë se Klebsiella pneumoniae dhe Acinetobacter spp. janë shqetësimet kryesore. Në 21 nga 43 vende të raportuara, të paktën gjysma e mostrave të testuara laboratorike të Klebsiella rezultuan rezistente ndaj cefalosporinave të gjeneratës së tretë, një grup i përdorur shpesh. Tek Acinetobacter, në 21 nga 38 vende të paktën gjysma e mostrave ishin rezistente ndaj karbapenemëve, antibiotikë të fuqishëm të rezervuar për infeksione të rënda kur ilaçet e tjera dështojnë.
Gjithashtu, në 10 nga 43 vende të paktën gjysma e mostrave të Klebsiella ishin rezistente ndaj karbapenemëve, duke reduktuar më tej opsionet terapeutike pasi antibiotikët e mbetur si zgjidhje e fundit janë shpesh të shtrenjtë dhe jo të disponueshëm në gjitha vendet.
Të dhënat e Bashkimit Evropian tregojnë një rritje të fortë të infeksioneve më serioze: frekuenca e infeksioneve të gjakut nga Klebsiella rezistente ndaj karbapenemëve u rrit me 72 për qind midis 2019 dhe 2025. Synimi evropian parashikon reduktim prej 5 për qind të këtyre infeksioneve deri në vitin 2030.
Në Maqedoninë e Veriut gjithashtu është regjistruar rezistencë te këto grupe bakteresh. Buletini i Institutit për Shëndet Publik për tetorin 2026 shënjon rezistencë te Acinetobacter baumannii dhe te bakteret e gjinisë Klebsiella, por nuk jep përqindje për antibiotikët specifikë të përfshirë në studimin evropian dhe nuk përcakton llojin e Klebsiella-s, kështu që të dhënat vendore nuk lejojnë krahasim të drejtë me rezultatet rajonale.
“Në shumë vende të rajonit tonë, antibiotikët që mjekët zakonisht zgjedhin së pari nuk veprojnë ndaj infeksioneve serioze spitalore,” paralajmëroi Mark-Alen Vidouson nga Zyra Rajonale e WHO‑së, duke theksuar se pacientët për të cilët antibiotiku i zgjedhur në fillim dështon kanë rrezik më të madh për vdekje në spital.
Drejtuesja e ECDC‑s, Pamela Rendi‑Wagner, theksoi se metodat moderne e lehtësojnë zbulimin më të shpejtë të baktereve rezistente: “Inovacionet, si mbikëqyrja gjenomike më e shpejtë, do të thonë se tani mund të vlerësojmë më mirë dhe më shpejt se si përhapen bakteret rezistente dhe si shmangin antibiotikët,” shtoi ajo, duke nënvizuar se zbulimi i shpejtë ndihmon parandalimin dhe përmirëson zgjedhjen e terapisë.
WHO‑ja sqaron se përqindjet e larta nuk do të thonë që gjysma e pacientëve spitalorë kanë infeksione rezistente. Studimi i referohet baktereve të testuara laboratorikisht, të izoluara nga gjaku dhe lëngu cerebrospinal te pacientët me infeksione serioze. Organizatat bëjnë thirrje për përmirësim të higjenës spitalore, testim laboratorik me kohë dhe përdorim të kujdesshëm të antibiotikëve për të parandaluar përhapjen dhe për të ruajtur efikasitetin e trajtimit.
Foto: material shtypi nga ngjarja


