Gjykata Administrative konfirmon gjobën prej 20.000€ për Ramstore Maqedonia
Padia e kompanisë u rrëzua; marrëveshjet për shkëmbim të të dhënave përfshinin pagesa shtesë jashtë kontratave kryesore.

Gjykata Administrative konfirmoi vendimin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, me të cilin Ramstore Maqedonia DOO Shkup është gjobitur me 20.000 euro për shkeljen e Ligjit për Ndalesën e Praktikave të Pabarabarta Tregtare në Zinxhirin e Furnizimit të Produkteve Bujqësore dhe Ushqimore.
Gjykata e hodhi poshtë padinë e paraqitur nga kompania dhe personi përgjegjës, duke lënë në fuqi sanksionin e mëparshëm.
Gjetjet lidhur me marrëveshjet për shkëmbim të të dhënave
Sipas vendimit, Ramstore kishte nënshkruar marrëveshje të veçanta për shkëmbim dhe shitje të të dhënave me furnizuesit Pivara AD Shkup dhe VV Tikvesh AD Kavadarci. Këto marrëveshje anësore parashikonin pagesa shtesë që nuk ishin të përfshira në kontratat kryesore të furnizimit, gjë që u vlerësua si praktikë e pabarabartë tregtare.
Gjykata gjithashtu konfirmoi zbatimin e duhur të dispozitave ligjore që ndalojnë pagesat e pandërlidhura dhe tarifat për hulumtime të tregut nëse ato nuk përcaktohen qartë në kontratat e furnizimit.
Si pasojë, kompania u gjobit me 20.000 euro, ndërsa personi përgjegjës mori një dënim prej 350 eurosh, në vlerën ekuivalente në denarë.
Foto: material shtypi nga ngjarja


