Kryefaqja
Maqedonia

Ueb-faqet e Qeverisë dhe ministrive të mbrojtura me kohë pas dobësive në PHP

Ministria bllokoi përkohësisht trafikun e jashtëm, aplikoi patch-e dhe nuk identifikoi shenja komprometimi, tha kabineti i ministrit Stefan Andonovski.

·Maqedonia
Ueb-faqet e Qeverisë dhe ministrive të mbrojtura me kohë pas dobësive në PHP

Faqet e qeverisë dhe të ministrive në Maqedoninë e Veriut u mbrojtën me kohë pas publikimit të dobësive të rëndësishme në gjuhën e programimit PHP, njoftoi Ministria e Transformimit Digjital. Ministria tha se ka ndërmarrë veprime parandaluese teksa ekipet teknike kanë aplikuar përditësimet e nevojshme.

Masat paraprake dhe verifikimet

Si masë parandaluese, u bllokua përkohësisht trafiku i jashtëm drejt sistemeve të prekura për të shmangur mundësinë e shfrytëzimit. Më pas u kontrolluan versionet e softuerit, u aplikuan patch-e dhe përditësime të sigurisë, dhe u testua funksionaliteti dhe siguria e serverëve web para rikthimit të shërbimeve.

"Sipas kontrollimeve deri tani, nuk janë konfirmuar tregues për shfrytëzim të suksesshëm të dobësive të përmendura apo për komprometim të ueb-faqeve të Qeverisë dhe të ministrive," tha kabineti i ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski.

Ministria shtoi se, përmes Sektorit për Siguri Kibernetike dhe ekipit qeveritar për sigurinë kompjuterike (MKD-GOV-CSIRT), vazhdon monitorimin e përforcuar dhe të vazhdueshëm të kërcënimeve kibernetike, analizën e ngjarjeve të sigurisë dhe të regjistrave (logs), si dhe kontrollin e indikatoreve të mundshme të komprometimit.

"Mbrojtja e infrastrukturës digjitale të qeverisë mbetet prioritet për Ministrinë. Përmes zbulimit dhe heqjes të drejtëkohshme të dobësive dhe aplikimit të përditësimeve të duhura të sigurisë, Ministria vazhdon të forcojë sigurinë e sistemeve dhe të sigurojë funksionim të sigurt dhe të qëndrueshëm të shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset," tha Ministria në njoftim.

Dobësitë në PHP shkaktuan reagime paraprake globalisht: shumë platforma të njohura si WordPress, Wikipedia, Slack dhe pjesë të mëdha të Facebook mbështeten në atë gjuhë. Kompania Wiz vlerësoi se rreth 70 përqind e faqeve botërore përdorin PHP. Agjencia Amerikane për Sigurinë Kombëtare (NSA) u kërkoi organizatave të rregullojnë menjëherë sistemet e prekura ose t’i largojnë nga interneti; disa qeveri dhe institucione në Evropë përkohësisht tërhoqën faqet e tyre si masë paraprake.

Foto: Printskrin

Artikuj të ngjashëm