Velkovski: Rritja e pensioneve duhet të jetë 3–3,5%, shifrat e sakta javën e ardhshme
Velkovski: Shifrat e sakta do të përfundojnë javën e ardhshme në mënyrë që rritja të përfshihet në pagesën e 1 tetorit.

Ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj, Gjoko Velkovski, tha se qeveria do të njoftojë madhësinë e rritjes së pensioneve javën e ardhshme dhe se, sipas vlerësimeve aktuale, rritja duhet të jetë midis 3 dhe 3.5 përqind.
Velkovski gjatë një emisioni të mbrëmjes theksoi se po pritet përfundimi i gushtit për t'i finalizuar parametrat. „Po presim të mbarojë gushti dhe tashmë javën e ardhshme do të kemi parametrat dhe do të dalim me shifra konkrete, sepse ato duhet të hyjnë në pagesën e pensionit të shtatorit që do të merret më 1 tetor,“ tha ai.
Ministri sqaroi se përllogaritja e ardhshme do të bëhet sipas nenit aktual të Ligjit për rritjen përqindore të pensioneve, që do të thotë se nuk do të kthehen te rritjet lineare me shumësi fikse të cilat u zbatuan gjatë dy viteve të fundit — periudhë gjatë së cilës, sipas tij, pensionet u rritën për 7 000 denarë.
Ai gjithashtu la të hapur mundësinë e ndërhyrjeve të mëtejshme, duke thënë se vendimet do të varen nga lëvizja e disa parametrave kyç. „Nëse do të ketë ndërhyrje shtesë, në përputhje me politikat dhe dinamikën se si do të lëvizen disa parametra në shtet, vendimet do të merren më tej. Rritja e ardhshme është në mars 2027. Deri atëherë mendoj se ka kohë,“ deklaroi Velkovski.
Ai nënvizoi se përqindja e saktë dhe shumën konkrete do t’i bëjnë publike pasi të përfundojnë kalkulimet në mënyrë që rritja të aplikohet në pagesën e pensionit për shtatorin, që do të merret më 1 tetor.
Më parë, kryeministri Hristijan Mickoski i kishte thënë gazetarëve se pensionet do të rriten në përputhje me ligjin, dhe se kur qeveria kishte aplikuar rritje lineare, disa individë të inkurajuar nga partitë opozitare kishin ngritur një iniciativë ndaj Gjykatës Kushtetuese.
„Po, kjo do të jetë një nivelizim i rregullt, një përcaktim sipas ligjit. Siç e dini, kanë ekzistuar iniciativa nga individë në sfond, të inkurajuar nga parti politike, për të paraqitur çështjen e rritjeve lineare të pensioneve para Gjykatës Kushtetuese. Për të mbrojtur pensionistët dhe pensionet, më tej rritjet do të jenë sipas përshtatjeve të parashikuara me ligj,“ tha kryeministri Mickoski.
Foto: Printskrin


