DOM kërkon informacion të plotë për projektin Krstov Dol
Partia kërkon përgjigje publike për rezervat, teknologjinë dhe ndikimet mjedisore pas financimit të DFC-së.

Pas deklaratës së kryeministrit Hristijan Mickoski se Qeveria nuk do ta braktisë shfrytëzimin e antimonit për zhvillim ekonomik, partia DOM kërkon informacione të plota dhe të verifikueshme për projektin "Krstov Dol".
Partia thekson se në prill DFC-ja amerikane nënshkroi një marrëveshje për deri në 5 milionë dollarë financim zhvillimor për kompaninë Pela Global. Këto mjete, thonë ata, janë të destinuara për studime fizibiliteti dhe hulumtime për të konfirmuar qëndrueshmërinë e projektit, dhe se interesat e mundshme të zinxhirëve globale të furnizimit nuk duhet të përdoren si provë e fitim-prurshmërisë apo si justifikim për zbutjen e standardeve mjedisore.
Pyetjet kyçe që DOM kërkon të marrin përgjigje
- Sa janë rezervat e provuara të minierës dhe në bazë të cilave studime gjeologjike janë përcaktuar?
- Çfarë kapaciteti dhe çfarë teknologjie për shfrytëzim dhe përpunim planifikohen?
- Sa ujë do të konsumohet, nga cilat burime dhe si do të parandalohet ndotja?
- Ku do të depozitohen mbetjet (tailings) dhe kush do të garantojë sigurinë afatgjatë?
- Kush do të mbulojë kostot e rikultivimit dhe çfarë garanci financiare do të sigurojë investitori?
- A janë kryer studime të pavarura për ndikimet në shëndet dhe mjedis dhe kur do të bëhen të disponueshme për publikun?
DOM kërkon që Qeveria t'u përgjigjet publikisht të gjitha këtyre pyetjeve dhe të publikojë dokumentacionin mbështetës për shqyrtim të pavarur.
"Nëse Qeveria vërtet dëshiron që ky projekt të jetë shembull i zhvillimit ekonomik, atëherë duhet të jetë shembull edhe për transparencë, llogaridhënie dhe mbrojtje të interesit publik," tha partia.
Foto: material shtypi nga ngjarja


