BDI kërkon të dihet sa fonde publike janë në Alta Bank dhe sipas cilave kritere u zgjodh banka
Partia kërkon publikimin e kriterieve të zgjedhjes së bankës dhe hetim të veprimeve të mbikëqyrjes pas administrimit të përkohshëm.

Bashkimi Demokrat për Integrim (BDI) ka kërkuar që Qeveria dhe Ministria e Financave të publikojnë një pasqyrë të plotë të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve publike dhe subjekteve të tjera të kontrolluara nga shteti që kanë pasur fonde në Alta Bank, me shumat e sakta, datat e hapjes së llogarive, bazën ligjore dhe emrat e personave përgjegjës.
Kërkesë për sqarim të kritereve dhe përgjegjësisë
Partia kërkon të dihet cilat kritere kanë përdorur institucione dhe ndërmarrjet publike kur kanë zgjedhur Alta Bank si partner bankar dhe kush i ka miratuar këto vendime. BDI ngre dyshime nëse zgjedhjet kanë qenë rezultat i vlerësimeve të pavarura financiare dhe procedurave transparente, apo nëse ka pasur ndikim politik.
"Çka na shqetëson veçanërisht është pyetja sa pjesë e mjeteve publike ndodhen në Alta Bank dhe sipas cilave kritere institucione dhe ndërmarrje publike kanë vendosur t'i përdorin shërbimet e saj. Kush vendosi, kush i miratoi ato vendime dhe kush e vlerësoi ekspozimin financiar të mjeteve publike? A ishte zgjedhja e bankës rezultat i vlerësimeve të pavarura financiare dhe procedurave transparente apo pati ndikim politik mbi vendimet e institucioneve? A u analizuan rreziqet e lidhura me strukturën pronësore të bankës? A pati paralajmërime dhe, nëse po, kush i mori dhe si veproi me to?" pyet partia.
BDI thotë se rasti hap çështje më të gjera për menaxhimin e parave publike, sigurinë financiare të institucioneve shtetërore dhe mundësinë e lidhjes mes vendimeve politike dhe interesave bankare. Në komunikatë përmenden edhe procedurat kundër pronarit të bankës mëmë në Serbi dhe dyshimet për keqpërdorime financiare që janë subjekt hetimesh atje.
Partia kërkon që Banka Qendrore e Maqedonisë së Veriut të shpjegojë procedurat e mbikëqyrjes dhe vlerësimet e rrezikut, dhe të Prokuroria të hetojë nëse orientimi i fondeve publike përfshinte ndikime të paligjshme, keqpërdorim të detyrës apo konflikt interesi. BDI kërkon gjithashtu që Qeveria dhe Ministria e Financave të publikojnë një listë të plotë me shumat e sakta, datat e hapjes së llogarive, bazën ligjore dhe emrat e përgjegjësve.
Kjo kërkesë pason hapat e bankës qendrore, pasi Banka Qendrore e Serbisë të shtunën njoftoi se i ishte revokuar licenca Alta Bank AD Belgrade për shkak të përkeqësimit të rëndë të gjendjes financiare dhe rrezikut për përkeqësim të mëtejshëm të likuiditetit. Për shkak të lidhjes pronësore, Banka Qendrore e Maqedonisë së Veriut vendosi administrim të përkohshëm në Alta Bank AD Bitola dhe kufizime për përdoruesit.
Sipas kufizimeve, personat fizikë kanë një limit javor prej 10,000 denarësh për tërheqje cash dhe pagesa me kartë, ndërsa transferet e brendshme brenda bankës mbeten të pakufizuara. Subjektet juridike mund të kryejnë transferime të brendshme të pakufizuara brenda bankës, por nuk mund të transferojnë fonde në banka të tjera, as të tërheqin para nga ATM-të ose sportelet; huamarrësit duhet të vazhdojnë t'i përmbushin detyrimet e tyre në kohë.
BDI vlerëson se vendosja e administrimit të përkohshëm dhe kufizimet kërkojnë një shqyrtim institucional të menjëhershëm, veçanërisht për shkak të pasigurisë me të cilën përballen institucionet dhe ndërmarrjet publike në funksionimin e tyre financiar. Sipas partisë, qytetarët kanë të drejtë për informacion të plotë dhe përgjegjësi duhet të vendoset mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve, duke përfshirë ata që morën vendime dhe ata që ishin përgjegjës për mbikëqyrje dhe kontroll të rreziqeve.
Foto: material shtypi nga ngjarja


