DZR: Menaxhimi i punës dhe mosmarrëveshjet i kushtuan shtetit mbi 64 milionë euro (2020–2025)
Auditim: €33,219,570 kryesor dhe €31,149,460 interesa dhe kosto, numri i çështjeve u rrit nga 9,361 në 24,556 (2021–2025)

Zyra Shtetërore e Auditimit (DZR) konstaton në raportin e fundit se mungesa e menaxhimit sistematik dhe efikas të mosmarrëveshjeve të punës i ka kushtuar shtetit mbi 64 milionë euro në periudhën 2020–2025.
Auditorët evidentuan rritje të numrit të çështjeve aktive të punës, nga 9.361 në vitin 2021 në 24.556 në vitin 2025. Rritja më e theksuar ishte në 2022, me 66,16% krahasuar me 2021; më pas vijoi me 22,49% në 2023 ndaj 2022, 18,75% në 2024 ndaj 2023 dhe 8,52% në 2025 ndaj 2024, çka tregon një trend rritës me ngadalësim të dinamikës.
Sipas të dhënave të mbledhura nga 69 institucione shtetërore të përfaqësuara nga Avokatura e Shtetit, gjatë këtij pesëvjeçari janë paguar mbi 3,9 miliardë denarë, ose rreth 64,4 milionë euro. Nga shumat e paguara, borxhi kryesor arrin në 33.219.570 euro, ndërsa 31.149.460 euro i përkasin interesave, shpenzimeve të procedurave gjyqësore dhe shpenzimeve ekzekutive. Auditimi thekson se 95,36% e shpenzimeve janë realizuar me urdhra ekzekutivë, ndërsa vetëm 4,64% janë paguar vullnetarisht.
Mungesa e mekanizmave dhe nevoja për parandalim
Raporti vëren se mungesa e një qasjeje të harmonizuar dhe funksionale për menaxhimin e mosmarrëveshjeve të punës krijon interpretime të ndryshme dhe zbatim të pabarabartë të rregullave dhe pengon analizën sistematike të shkaqeve që nxisin çështjet dhe iniciimin e ndryshimeve ligjore.
"Kushtet aktuale ligjore dhe nënligjore nuk sigurojnë një sistem plotësisht të harmonizuar dhe funksional për menaxhimin e mosmarrëveshjeve të punës. Paqartësitë dhe mospërputhjet e identifikuara krijojnë interpretime të ndryshme dhe zbatim të pabarabartë të rregulloreve, dhe nuk ekzistojnë mekanizma sistematikë për analizimin e arsyeve të nismës së mosmarrëveshjeve të punës dhe për propozuar ndryshime të përshtatshme në kornizën ligjore," thuhet në raport.
Auditorët poashtu nënvizojnë mangësi në kapacitetet njerëzore dhe në ndërmarrjen e masave parandaluese. Megjithëse vendimet e Qeverisë parashikuan rritje të numrit të avokatëve të shtetit nga 56 në 2020 në 72 në 2025, numri i emëruar në të vërtetë nuk i përmbahet kësaj rritjeje — në 2025 ishin emëruar vetëm 57 avokatë të shtetit.
"Në kushte të rritjes së volumit të punës — veçanërisht për shkak të shtimit të çështjeve të lidhura me marrëdhëniet e punës në 2024 dhe 2025, çështjeve të ekspropriimit të lidhura me korridoret infrastrukturore 8 dhe 10, si dhe kompetencave të reja të përcaktuara me ligje të reja, kapacitetet aktuale njerëzore përballen me kufizime në ndërmarrjen në kohë të veprimeve procesuale", shton raporti.
DZR rekomandon reformat urgjente ligjore, forcimin e masave parandaluese dhe ndërtimin e një sistemi funksional analitik për të monitoruar dhe menaxhuar rreziqet financiare nga mosmarrëveshjet e punës.
Foto: material shtypi nga ngjarja


