Eurostat: 4,8% e të rriturve në BE pinë alkool çdo ditë; në Maqedoninë e Veriut shumë provojnë alkool në moshën 13 vjeç
Raporti nxjerr dallime sipas moshes, gjinisë dhe statusit socioekonomik; ESPAD 2024 sinjalizon përdorim të hershëm te nxënësit maqedonas.

Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se përdorimi i alkoolit dhe i duhanit mbetet një sfidë e rëndësishme për shëndetin publik në Bashkimin Evropian. Në vitin 2025, 4,8% e personave të moshës 16 vjeç e lart në BE raportuan që pinin alkool çdo ditë; 19,2% pinin në baza javore dhe 21,8% të paktën një herë në muaj.
Ekzistojnë dallime të mëdha sipas gjinisë: në 2025, 56,5% e burrave në BE konsumonin alkool të paktën një herë në muaj, krahasuar me 35,9% të grave. Po ashtu, 33,5% e të rriturve deklaruan se gjatë vitit para sondazhit nuk kishin konsumuar alkool fare.
Modelet e konsumit ndryshojnë me moshën: përdorimi ditor i alkoolit ishte vetëm 0,8% tek grupmosha 16–24 vjeç, ndërsa arrinte 8,9% te personat 65 vjeç e më të moshuar. Faktorët socioekonomikë ndikojnë dukshëm: 47,5% e personave në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social nuk kishin pirë alkool gjatë vitit të kaluar, në krahasim me 29,9% të pjesës tjetër të popullsisë.
Të dhëna kombëtare: fillimet e hershme dhe pirja episodike e rëndë midis nxënësve
Në Maqedoninë e Veriut, studimi ESPAD 2024, i realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik, evidentoi modele shqetësuese te nxënësit: disa provuan cigaren e parë tashmë në moshën nëntë vjeç, ndërsa përvojat e para me alkoolin zakonisht ndodhin në moshën 13 vjeç ose më herët.
Sipas ESPAD-it, 10,7% e nxënësve raportuan se provuan cigaren për herë të parë në moshën 14 vjeç, dhe 10,1% në 15 vjeç; 2,9% thanë se kishin pirë duhan në moshën nëntë vjeç ose më të vegjël. Për alkoolin, 62,7% e nxënësve thanë se e kishin provuar të paktën një herë; 33,2% raportuan pirje episodike të rëndë (pesë ose më shumë pije në 30 ditët e fundit), dhe 28,5% e provuan alkoolin për herë të parë në moshën 13 vjeç ose më të re.
Përdorimi i duhanit mbetet i përhapur: Eurostat raporton 16,5% përdorues ditorë të produkteve të duhanit dhe produkteve të ngjashme në BE (16+). Në vend, përqindja e duhanpirësve aktivë arrin 40,4%, dhe vetëm 5% kanë ndërprerë duhanin në vitet e fundit. Analizat e Institutit të Shëndetit Publik vlerësojnë se duhani shkakton rreth 4.000 vdekje në vit në vend, ndërsa të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se rreth 40% e 14‑vjeçarëve tashmë pinë duhan.
Foto: material shtypi nga ngjarja


