Franca angazhon 70,000 policë dhe njësi speciale para protestave të së shtunës
Forca shtesë, njësi taktike dhe mbyllje muzeumesh pas trazirave të fundjavës së kaluar.

Autoritetet franceze kanë forcuar sigurinë në Paris dhe në qytete të tjera përpara protestave kombëtare të paralajmëruara për të shtunën, në përpjekje për të parandaluar përsëritjen e dhunës së fundjavës së kaluar.
Ministria e Brendshme njoftoi se do të vendosen rreth 20 përqind më shumë forca sigurie sesa më 17 tetor. Në mbarë Francën do të jenë të angazhuar rreth 70.000 policë, të mbështetur nga helikopterë, automjete të blinduara dhe topa uji.
Njesitë speciale dhe ndalesat paraprake
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, paralajmëroi dje se policia do të jetë "krejtësisht e papajtueshme ndaj atyre që marrin pjesë në dhunë". Zyrtarët thanë se në rrjetet sociale kanë identifikuar thirrje për dhunë dhe vandalizëm nga grupe radikale të ekstremit të majtë.
Vazhdon ndalimi i tubimeve të paligjshme, ndërsa grupeve të organizuara, përfshirë sindikatat, u janë ofruar itinerare alternative për marshime për të mbrojtur dyqanet nga vandalët. Në mision janë angazhuar edhe Operation Sentinelle, njësi taktike e Gendarmerisë Kombëtare GIGN dhe njësi taktike elitë e Policisë Kombëtare RAID.
Zyrtarët rikujtuan shkallën e trazirave të fundjavës së kaluar: rreth 2.700 persona u arrestuan, afërsisht 1.000 u paraqitën në gjykatë, dhe 217 persona morën dënime me burg në procedura të përshpejtuara. Trazirat u përshkallëzuan kur disa demonstrues vunë zjarr, hynë në objekte publike, thyen dyqane, vodhën dhe u përleshën me policinë.
Autoritetet lokale morën masa të ndryshme kufizuese. Në Marsejë nuk do të ketë transport publik për të shmangur përsëritjen e dëmeve që preku më shumë se 500 biznese fundjavën e kaluar, dhe prefektura e rajonit të Rhône vendosi orë policore nga ora 23:00 deri në 05:00 që ishte në fuqi nga mbrëmja deri në mëngjes. Masa të ngjashme u shpallën në Nice, Toulon, Rouen dhe Grenoble.
Në Paris policia miratoi itinerarin e marshit të sindikatës General Confederation of Labour (CGT) nga Bastille deri te Nation për marshimin që nis në ora 14:00, ndërsa u ndalua itinerari nga Bastille në Opéra që kërkonin "Jelet e Verdha". Po ashtu janë të ndaluara tubimet para Pallatit Elysee, selisë së kryeministrit dhe të dy dhomave të parlamentit francez. Për shkak të protestave të paralajmëruara, 24 stacione metro do të mbyllen nga ora 09:00, dhe muze të mëdhenj si Louvre, Orsay, Picasso dhe Grand Palais janë urdhëruar të mbyllen për ditën.
Foto: material shtypi nga ngjarja


