Sekretariati i Përgjithshëm ripublikon tender për AI mbi 1,6 milionë euro pas gabimi teknik
Procedura për pajisje dhe licenca AI u rikthye pas anulimit në shtator për shkak të problemi teknik.

Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë ripublikon një tender për pajisje IT dhe licenca softuerike për inteligjencën artificiale, pas dy tentativash të dështuara. Procedura e re, e shpallur më 1 tetor, mbulon mbi 1.6 milionë euro dhe synon blerjen e pajisjeve dhe licencave për mbështetje të sistemeve AI në administratë.
Tenderi i mëparshëm u anulua më 9 shtator pasi, për shkak të një problemi teknik, një përgjigje e ngarkuar në lidhje me një pyetje të operatorit i përkiste një procedure tërësisht të ndryshme. Thirrja e ripublikuar përcakton që sistemi i blerë duhet të mundësojë përdorimin dhe vendosjen e modeleve të ndryshme AI për përpunimin e dokumenteve, kërkimin në burime institucionale informacioni dhe përmirësimin e efikasitetit administrativ.
Përgjigja e qeverisë dhe ruajtja e të dhënave
Qeveria theksoi se nuk bëhet fjalë për një blerje të centralizuar të një zgjidhjeje AI për të gjitha institucionet. „Nuk bëhet fjalë për një blerje të centralizuar të një zgjidhjeje AI për të gjitha institucionet. Nevoja për infrastrukturë lokale rrjedh edhe nga natyra e informacionit që përpunohet në këto sisteme. Prandaj, në specifikimin teknik është parashikuar mundësia që platforma të funksionojë on-premise, në mënyrë që të dhënat të mbeten në një mjedis të kontrolluar dhe të mos duhet të ekspozohen ndaj modeleve publike ose të jashtme të AI,“ theksoi qeveria në përgjigje.
Ministri për Shoqërinë e Informacionit, Stefan Andonovski, i tha një programi televiziv javën e kaluar se për tenderin mori vesh nga pyetjet e ngritura në emision. Sekretariati i Përgjithshëm konfirmoi se blerja është për nevojat e sistemeve të vet sekretariatit.
Vetëm 20 ditë para anulimit të shtatorit, gjatë gushtit Sekretariati anulloi edhe një tender tjetër për AI, i drejtuar sektorëve të Prokurimeve Publike dhe Burimeve Njerëzore. Komisioni vuri re pas hapjes publike të ofertave se dokumentacioni nuk e përkufizonte kriterin për zgjedhjen e ofertës më të favorshme, një element i domosdoshëm për vlerësim dhe renditje të saktë të ofertave, dhe për këtë arsye u mor vendimi për anulimin e të gjithë procedurës.
Qeveria po ashtu tha se tenderi i anuluar në gusht do të kishte përfshirë disa elementë, përfshirë njohjen vizuale të punonjësve përmes kamerave të qeverisë. Ky tender nuk është ripublikuar.
Foto: material shtypi nga ngjarja


